Një informacion se në qendër të Kumanovës do të vendoset pllakë përkujtimore për branitellat, ka shqetësuar shqiptarët e këtij qyteti. Por, kryetari i Komunës sot tha se nuk është caktuar saktë se çfarë pllake do të vendoset në parkun e ri në Kumanovë, dhe se çfarëdo vendimi duhet të kalojë në këshillin komunal me votim sipas modelit të Badenterit.
Ai tha se komuna vetëm ka informuar se do të fillojë ndërtimi i gjelbërimit të një parku të vogël në atë lokacion, dhe se në të ekziston hapësirë që të vendosen pllaka të ndryshme përkujtimore, pasi shoqatat civile disa herë e kanë kërkuar një gjë të tillë. Ai sqaroi se të gjitha vendimet për vënjen e shenjave përkujtimore, pavarësisht përkatësisë etnike, duhet të kalojnë përmes vendimit të Këshillit të komunës, ku votohet sipas principit të badinterit.
ZORAN DAMJANOVSKI, KRYETAR I KOMUNËS KUMANOVËS
“Është një hapësirë e madhe ku mund të vendosen disa pllaka përkujtimore, sepse vazhdimisht kam kërkesa nga shoqata të qytetarëve, organizata joqeveritare, për vendosje të disa pllakave të rëndësishme. Megjithatë, për qartësi, vendosja e pllakave përkujtimore është nën juridiksion të Këshillit të komunës, dhe të vetëqeverisjes lokale, e njejta votohet me badinter, pra duhet të votojnë. Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë leje për vendosje të përmendoreve”
Këshilltari komunal nga radhët e PDSH-së, Besnik Memeti, tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë asnjëherë dhe se gjitha këto informata që qarkullojnë në opinion janë vetëm për përfitime të pikave politike tani para zgjedhjeve. Ndërkaq, shtoi se PDSH asnjëherë nuk do ta votojë një gjë të tillë.
BESNIK MEMEDI, KËSHILLTAR I PDSH-SË NË KOMUNËN E KUMANOVËS
“Normalisht që ne si PDSH nuk do ta votojmë asnjëherë një gjë të tillë. Sa i përkët asaj kjo është vetëm për të fituar poena politik, tash para fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Se unë lexova që si kundërpërgjigje e kësaj do të jetë vendosja e pllakës përkujtimore të ushtarëve të UÇK-së tek parku i qytetit. Si mendoj unë, edhe në këto zgjedhje do të vazhdohet me zhargonin e vjetër se ne do të bëjmë këtë si revanshizëm i kësaj. Një gjë e tillë nuk do të ndodh, as vendosja e asaj pllake, e as vendosja e pllakës tjetër, këto janë vetëm për përfitimin e pikave politike”.
Televizioni Shenja nuk arriti të kontaktojë me ndonjërin nga këshilltarët nga radhët e BDI-së. Ndërkaq, qytetarët e anketuar që i përkasin etnicitetit maqedonas janë pro vendosjes së kësaj pllake.
QYTETAR
“Po e miratoj, secilin plan për realizim e miratoj. Nga ana ime nuk ka dilema, mund të ketë ndërtim”
Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë ndjehen të diskriminuar. Ata thonë se fajtor pse ata gjithmonë diskriminohen është partia shqiptare në pushtet.
QYTETAR
“Si çdoherë gjithmonë jemi të diskriminum, nëse ne do të merrnim iniciativë për përmendore sigurisht do të kishte reagime të forta, për këta nuk ka problem edhe në qendër mund ta vendosin. Fajtor për këtë është BDI-ja”.
Ka edhe nga ata që nuk kanë dëgjuar për një projekt të tillë.
QYTETAR
“Nuk pasna dëgju, nuk e di për çfarë bëhet fjalë”
Sipas kryetarit të Komunës së Kumanovës, vetëqeverisja lokale nuk do t’i financojë këto projekte, ajo vetëm mund të japë një shumë buxhetore si mbështetje ndaj shoqatave civile, e cila do të ndahet me vendim të këshillit.