Peci: Mitrovica drejt zgjidhjes së ujërave të zeza, investim 40 milionë euro

70

Këtë vit, në Mitrovicë fillon projekti më i madh investiv pas luftës, i cili pritet të transformojë tërësisht qytetin në aspektin mjedisor.

Bëhet fjalë për ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza, në vlerë prej rreth 40 milionë euro.

“Këtë vit fillon projekti më i madh investiv në Mitrovicën e pasluftës. Sivjet nis projekti ‘Impianti i Trajtimit të Ujërave të Zeza’, në vlerë prej rreth 40 milionë euro. Lumenjtë e qytetit do të jenë të pastër”, ka shkruar kryetari i Mitrovicës, Faton Peci.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se ka vizituar lokacionin e ndërtimit së bashku me Kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, dhe ka theksuar ndikimin e madh mjedisor që do të ketë ky projekt.

“Ky impiant do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mjedisit, për një Mitrovicë më të gjelbër, përkatësisht në ruajtjen e florës dhe faunës”, tha Peci.

Ai ka përfunduar duke theksuar se investimi do të ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme pamjen dhe cilësinë e jetesës në qytet.

“Ky investim do ta transformojë tërësisht Mitrovicën në aspektin mjedisor”, ka shkruar Peci. /Telegrafi/

Comments