Për 10 ditë tre të vdekur në burgun e Idorizovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore ende s’ka raport (VIDEO)

140

Ky familjar i sjellë ushqim dhe batanije të afërmit të tij në burgun e Idrizovës. Ai thotë se është i detyruar ta bëjë këtë për shkak të mungesës së kushteve në këtë burg, ku brenda 10 ditëve vdiqën tre të burgosur, për të cilët ende nuk dihen shkaqet.

Për të tria rastet, Prokuroria Publike është në pritje të rezultateve nga obduksioni që është kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të vazhduar hetimet.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore Aleksandar Stankov, tha se për tre të vdekurit është bërë obduksioni, por vazhdojnë analizat toksikologjike dhe histo-patologjike, që do të çojnë në zbulimin e shkaqeve të vdekjes së tyre.

“Me obduksionet, përveç shkaqeve të vdekjes mund të vërtetojmë edhe çështje tjera. Mund të sjellim prova se a kanë qenë ata persona të trajtuar njerëzisht, a iu kanë dhënë shërbimet mjekësore adekuate dhe në kohë ashtu siç kërkohet. Numër të saktë nuk mund t’ju tregoj, por ka raste që ndërrojnë jetë nga vdekja e natyrshme, por ka raste që vdesin edhe nga helmimi. Me terapi metadoni apo me edhe droga tjera”, tha ai.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë kërkuar hetime për tre rastet e vdekjeve në burgun e Idrizovës. Ministri Valdet Xhaferi në përgjigjen me shkrim për TV21 thotë se Drejtoria për zbatimin e sanksioneve është institucion i pavarur nga ministria e drejtësisë, por insiston që të hetohen në tërësi të trija rastet. 

“Si ministri vlerësojmë se për rastet në fjale duhet të ngritët hetuesi dhe të vërtetohen shkaqet e vdekjes se të burgosurve në këtë institucion. Normalisht, pas hetuesisë nëse vërtetohet se vdekja ka ardhur si rezultat i veprimit apo mosveprimit të personit përgjegjës atëherë përgjegjësia do të bie mbi institucionin dhe personat përgjegjës në këtë institucion”, tha Xhaferi.

Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve prej 10 ditësh nuk përgjigjet për çështjet se pse po vdesin të burgosurit. Drejtoresha Lidija Gavrilova nuk jep leje për xhirime brenda hapësirave të burgjeve, madje nuk lejon as intervistimin e zyrtarëve të burgut të “Idrizovës”.

Comments