PËR DALLIM NGA HASANBEGU, GJITHË INSTITUCIONET “NË KËMBË” PËR T’I NDIHMUAR STAJKOVCËS
Fshati Stajkovcë, i vërshuar një javë më parë dhe i banuar kryesisht me maqedonas, vazhdon të ndihmohet masovikisht nga të gjitha organet shtetërore, raporton SHENJA.
Të mobilizuar, ushtria e policia së bashku me ndihmën e shpejtë u qëndrojnë në dispozicion 24 orë banorëve. Pamjet flasin vetë. Por, flasin edhe vet banorët.
“Jemi të kënaqur për gjithçka, edhe mjekët tërë kohën qëndrojnë këtu”, tha një banore.
”Si s’jam, jam shumë e kënaqur, ja më dhanë barëra. Shumë u jamë mirënjohëse”, tha një banore tjetër.
Edhe nga ndihma e shpejtë që kanë ardhur nga Tetova për ti dalë në ndihmë Stajkovcit, tregojnë se po i vizitojnë të gjitha shtëpitë rend, dhe po i furnizojnë maqedonasit me barnat e nevojshme.
”Deri tani kemi qenë nëpër shtëpia u kemi ndihmuar, u kemi nda barëra të gjithë të sëmurëve”, u shpreh Sanije Elmazi, nga ndihma e shpejtë.
Për dallim nga gjendja e mjerueshme në Hasanbeg, ku banorët luftojnë për mbijetesë, më konkretisht për bukë e ujë dhe ilaçe, Stajkovca ndihmohet në secilën shtëpi veç e veç.