Për katër vjet janë zhdukur 39.370 kërkues të azilit në Austri



Komisioni austriak i revizionit, në raportin e tij të ri, dërgoi kritika të ashpra për praktikën e dëbimit që po zbatohet në vend.
Sipas raportit, në periudhën mes vitit 2010 dhe 2014 numri i personave të cilët kanë marrë përgjigje negative të kërkesës për azil, por dëbimi i të cilëve nuk është dokumentuar, është rritur prej 54 në 57 për qind. Bëhet fjalë për gjithsej 39.370 njerëz të cilët janë zhdukur, gjegjësisht për qëndrimin e tyre nuk ekziston informacion i besueshëm, kritikojnë revizorët.
Dokumenti tregon se 27 për qind e atyre personave janë me origjinë nga Afrika, 26 për qind nga Evropa, ndërsa 20 për qind janë nga Azia.
Komisioni i revizionit ka konfirmuar se numri i braktisjeve vullnetare të dokumentuara në Austri ka qenë më i madh sesa ai i të dëbuarve dhe tregon se kjo është e lidhur me mbështetjen financiare të cilën e jep Ministria e Punëve të Brendshme.