Për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit, një i arrestuar e tjetri në arrati

126

Moebel THEMA

Pejë, 26 gusht – Policia në Pejë përmes një njoftimi për medie ka konfirmuar vrasjen e djeshme të dyfishtë në Shaptej të Deçanit dhe për arrestimin e njërit nga të dyshuarit për vrasje. Për autorin tjetër të vrasjes, thekson se ende është në arrati.

Më 25 gusht, rreth orës 19:30 kemi pranuar një informatë, sipas së cilës në fshatin Shaptej të Deçanit ka ndodhur një rast i rrahjes mes 2 (dy) familjeve, dhe ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç ’rast 2 (dy) persona janë plagosur, thekson policia në Pejë në njoftimin për këtë rast, transmeton Koha.net. Në vazhdim bëhet e ditur se të plagosurit ishin R.R., i lindur më 1969, dhe B.R., i lindur më 1982, që të dy nga fshati Shaptej të komunës së Deçanit.

Fillimisht viktimat janë dërguar për t’u ofruar ndihmë mjekësore në Spitalin e Deçanit, e më pas në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, thuhet në njoftim. Sipas mjekëve viktima R.R. ka arritur pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa viktima B.R., nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Pejë.

Në njoftim po ashtu theksohet se në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë Policia e Stacionit Policor Deçan, Hetimet Rajonale, Krim-teknika dhe prokurori i Shtetit, të cilët janë marrë me hetimin se çfarë kishte ndodhur.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, sqarohet në njoftim.

Të dyshuar për këtë vrasje theksohet se janë: S.L. i lindur më 1959, dhe D.L. i lindur më 1989, po ashtu nga fshati Shaptej të komunës së Deçanit. Në njoftim bëhet e ditur se i dyshuari S.L. është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit policor, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme, ndërsa i dyshuari D.L. është në arrati dhe se policia po bën përpjekje për ta kapur.

Comments