Përdorimi i gjuhës shqipe, VMRO dhe LSDM sërish me akuza të ndërsjella

185

Gjuha shqipe dhe përdorimi i saj në të gjithë territorin e Maqedonisë ka qenë edhe sot mollë sherri mes dy partive më të mëdha maqedonase. Deputetja e VMRO-së, Blagica Laskovska, aktualizoi këtë çështje, duke akuzuar LSDM-në se po punon kundër interesave shtetërore.

Sipas saj, qytetarët maqedonas nuk do të përkrahin lojën e rrezikshme të LSDM-së për dygjuhësinë.

“Më intereson a e mbështesni ju zonja Georgieva programin që e promovon lideri juaj për dygjuhësinë në Republikën e Maqedonisë, që është një tezë e rrezikshme dhe është një lojë e madhe. A mund të na thoni: a e mbështet populli maqedonas në Radovish, Pehçevë, Berovë, Shtip dhe Prilep, prej ku buroi ideja për këtë iniciativë që po e promovon Zoran Zaevi?”,- deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Laskovska.

Por, nga LSDM-ja opozitare thonë se kjo kërkesë është e rregulluar me Kushtetutë dhe nëse dikush dëshiron të hap këtë çështje, duhet të hap çështjen për ndryshimin e Kushtetutës. LSDM kërkon që kjo çështje të mos bëhet pjesë e fushatës parazgjedhore.

“Rregullimi dhe përdorimi i gjuhëve është i rregulluar me Kushtetutën e vendit. Nëse dikush dëshiron të hapë këtë çështje, duhet të hapë çështjen për ndryshimin e Kushtetutës dhe amendamenteve të inkorporuara në Kushtetutë me marrëveshjen e Ohrit.  Jashtë  kësaj nuk ka mundësi për zgjerim për çfarëdo lloji të përdorimit të gjuhëve të etniteteve”,- tha deputeti i LSDM-së, Marjanço Nikollov.

Kundër deklaratave të liderit të LSDM-së për gjuhën shqipe janë ngritur edhe maqedonasit e diasporës, të cilët kanë protestuar rreth çdo mundësie që shqipja të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë.

Comments