Përgjaken rrugët, 2 të vdekur e 23 të plagosur (FOTO)

372

Aksidentet/ Vdes një shtetas maqedonas, si dhe një 25 vjeçar. Kamioni çan në dysh makinën Fiat
Nga Fatos Salliu

Dy të vdekur dhe 23 plagosur është bilanci i aksidenteve në akset rrugore shqiptare në Shkodër dhe në qarkun e Elbasanit. Në aksin rrugor Qafë Thanë-Rrogozhinë ndodhën 5 aksidente të rënda me pasojë vdekjen e dy shtetasve, një shqiptar dhe një maqedonas, si dhe plagosjen e dy personave të tjerë. Ndërsa në Shkodër një aksident i rëndë është shënuar në vendin e quajtur Beltojë, duke shkaktuar plagosjen e tre personave.

Qarku i Elbasanit

Ditë e zezë në rrugët e Elbasanit. Brenda 24 orëve në aksin rrugor Qafë Thanë-Rrogozhinë ndodhën 5 aksidente të rënda me pasojë vdekjen e dy shtetasve, një shqiptar dhe një maqedonas, dhe plagosjen e mbi 20 të tjerëve, disa prej të cilëve janë fëmijë ende në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Librazhd – Përrenjas në fshatin Urakë. Mjeti me targa OH 0688 AB, ka dalë nga rruga dhe ka rënë disa metra poshtë saj. Si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një shtetas maqedonas dhe katër shtetas janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital. Grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin e viktimës dhe përcaktimin e shkaqeve të daljes së mjetit nga rruga. Aksidenti tjetër i rëndë ka ndodhur në Xibrakë, ku si pasojë përplasjes së automjeteve janë plagosur 7 shtetas mes tyre 2 fëmijë, një në gjendje të rëndë.

Nga përplasja e automjetit tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi D.D. 37 vjeç me automjetin “Toyota”, e drejtuar nga B.B. me banim në Tiranë, mbetën të lënduar dy drejtuesit e automjeteve dhe J. D. 5 vjeç nga Xhafzotaj, djali i drejtuesit të automjetit tip “Toyota” dhe K.D 12 vjeçe banuese në Xhafzotaj, vajza e drejtuesit të automjetit tip “Toyota”, e cila ndodhet në gjendje të rëndë. U.A. 23 vjeçe me banim në Durrës, pasagjere në automjetin tip Toyota, Z.V 35 vjeçe me banim në Durrës, pasagjere në automjetin tip Toyota. S.B. 23 vjeçe banuese në Tiranë banuese në automjetin tip “Benz”. Të aksidentuarit janë dërguar menjëherë në spitalin kirurgjik ët Elbasanit dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Sipas të dhënave nga bluzat e bardha 12 vjeçarja K.D ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet me terapi intensive. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe ekspertët.

Ende nuk njihen zyrtarisht shkaqet e këtij aksidenti. Por mendohet humbja e kontrollit të drejtimit të automjetit si pasojë e motit me lagështi ndihmuar edhe nga disheza dhe nga kthesa në këtë vend. Ky vend mund të cilësohet si pika e zezë e aksidenteve në aksin Elbasan-Librazhd pasi gjatë vitit ndodhin dhjetëra aksidente.

Kamioni ndan në dysh Fiatin, vdes 25-vjeçari

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën Peqin-Rrogozhinë. Një makinë tip “Fiat” ngjyrë e bardhë me targa AA 289 IC është përplasur me një kamion dhe si pasojë është ndarë më dysh. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një 25-vjeçar. Sipas dëshmitarëve okularë kamioni ishte në korsinë e tij kur drejtuesi i “Fiat-it” hyri në korsinë tjetër dhe automjetet u përplasën në mënyrë fatale. Të njëjtat burime pohuan se trupi i shoferit ka përfunduar dhjetëra metra larg makinës në arat e zonës. “Vetëm kur pash tym. Trupi i shoferit ka fluturuar nga pemët po as ambulancë dhe asgjë tjetër. Gjynah ku jetojmë vëlla”, thotë dëshmitari okular.

Librazhd – Përrenjas, përplaset dy furgonë

Një aksident ka ndodhur në aksin Librazhd – Përrenjas, ku dy automjete tip furgonë janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e kësaj përplasje kanë mbetur të lënduar 4 shtetas që janë dërguar në spital por jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, por me gjasë mund të kenë ndikuar lagështira në rrugë, si pasojë e reshjeve. Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas. Një kamion mallrash ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në anë të saj. Ngjarja ka ndodhur në një nga kthesat e Bushtricës. Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur drejtuesi i kamionit ka marrë disa plagë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila administroi rrethanat e aksidentit.

Ende nuk dihet se cilat kanë qenë shkaqet, por besohet se kamioni ka humbur qendrën e rëndesës për shkak të kthesës ndoshta nga shpejtësia.

Comments