Nga 0-2, në 3-2, një përmbysje vërtet spektakolare e djemve 21-vjeçarë të përfaqësueses së Kosovës, të cilët kësaj here morën tri pikët e radhës pa “ndihmën” e UEFA-s në përballjen ndaj Norvegjisë. Një sukses ky që ndihmon ekipin kosovar të shpresojë për vijimësinë në Europian, pasi tashmë ka 6 pikë pas 3 ndeshjeve të para.
Dueli i luajtur në Mitrovicë ishte shumë emocionues, edhe për faktin se U-21 e Kosovës e ka parë veten në disavantazh të dy golave kur shënohej minuta e 36-të, kur Torsby dhe Odegard kishin gjetur rrugën e rrjetës për miqtë.
Por dyshja e sulmit Butyqi-Hasani vendosi barazpeshën para fundit të pjesës së parë me gola të shpejtë, duke kthyer në lojë përfaqësuesen e Kosovës. Pas pushimit, loja ishte e ndezur, me raste nga të dy palët, por djelmoshat kosovarë ia dolën që të shënonin në fund golin e fitores me anë të Bytyqit, kur mbeteshin pak minuta deri në vërshëllimën përfundimtare.
Kjo ishte fitorja e dytë e Kosovës ndaj Norvegjisë, pas asaj që iu dha në tavolinë nga UEFA. Skuadra kosovare ishte mundur me shifrat 5-0 në Norvegji, por falë aktivizimit të një lojtari të pezulluar, suksesi i shkoi Kosovës. Megjithatë, në këtë grup ndodhet edhe Gjermania, që ende nuk ka zhvilluar ndeshje.