Përmbytjet e 6 gushtit, Gashi: MPPS të vlerësojë kushtet ku jetojmë

223
fresco
midle
Edhe pse kanë kaluar katër muaj që nga vërshimet e 6 gushtit, ende shumë familje nuk i kanë riparuar dëmet e shkaktuara dhe janë jashtë në këta muaj të ftohtë.
Gjatë ditëve të para pas vërshimeve, shumë familje u strehuan në konviktet studentore, por tashmë shumë prej tyre ankohen se edhe përkundër faktit që nuk kanë ku të kthehen, komisioni rajonal i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në Gazi Babë i ka refuzuar kërkesat për vazhdimin e qëndrimit në konvikte, duke pohuar se të shpërngulurit kanë kushte ku të kthehen.
“Ndoshta ka ndonjë familje që ka kushte, por ju garantoj që shumica nuk kanë kushte, vetë i kam parë. Dëshiroj të apeloj deri tek Ministria rajonale e Punës dhe Politikës Sociale që të formojnë një komision të posaçëm nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, le ta inspektojë gjendjen faktike në terren dhe le të shikojë vetë se refuzimet që i bën Komisioni rajonal social nuk qëndrojnë”,- theksoi koordinatori i përmbytjeve në zonën e Hasanbegut, Fatmir Gashi.
Drejtori i Konviktit “Tome Stefanovski- Seniç” në Shkup thotë se në këtë konvikt ende kanë vend edhe për 200 persona dhe ftojnë të gjithë ata që nuk kanë ku të qëndrojnë, të strehohen aty deri në riparimin e shtëpive.
“Ata të cilët nuk kanë kushte për jetesë le t’i drejtohen derës tonë, dera jonë ka qenë e hapur që nga fillimi i vërshimeve dhe vazhdon të jetë e hapur edhe më tutje. Prandaj u apeloj të gjithëve të cilët nuk kanë mundësi dhe kushte minimale për jetesë, këtë dimër ta kalojmë së bashku me gjithë personat e tjerë nga zonat e përmbytura”,– u shpreh drejtori i Konviktit “Tome Stefanovski-Seniç”, Lulzim Xhemaili.
Për momentin në këtë konvikt janë strehuar rreth 100 persona nga Hasanbegu dhe zonat përreth. Leja e strehimit e dhënë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdohet çdo 2 muaj nga Komisioni rajonal i kësaj ministrie.
Comments