Përmbytjet, rrëfehet shoferi i kamionit: Rrëkeja ma mori fëmijën nga duart!
Postuar: 07/08/2016 – 19:32
Si pasojë e katastrofës në Maqedoni ku reshjet e dendura sollën daljen nga shtrati të liqenit të Smilkovcit, unaza rreth Shkupit mbetet e bllokuar nga balta, ka pemë të rrëzuara, makina të shkatërruara kudo.
Vërshimi i liqenit të Smilkovcit në autorstradë mori disa jetë njerëzish që udhëtonin në ato momente, trupat e të cilëve janë gjetur orët e para të mëngjesit të sotëm.
Vlladimir Angellovski, shoferi i një kamioni, tregon momentet e tmerrit kur uji i furishëm i mori nga duart një fëmijë. Në një rrëfim për AA-në shoferi thotë se donte ta shpëtonte fëmijën, por ishte e pamundur, pasi uji e mori bashkë me prindërit.
“Pas meje u paraqit një veturë, në të ishte një burrë, një grua dhe një fëmijë. Ata kërkuan ndihmë nga unë, burri nxori fëmijën nga dritarja e veturës që të ma japë mua. Në momentin kur desha të kap fëmijën, uji i mori të tre, pastaj më rrotulloi edhe mua dhe rreth një orë e gjysmë mbeta i bllokuar në kamion”, u shpreh Angellovski.
Angellovski shtoi se nga të gjitha anët dëgjonte britma për ndihmë. Ai shtoi se të gjithë njerëzit që jetojnë në rrethinën e liqenit dolën në ndihmë, ndërsa ndihma e shpejtë dhe policia arritën me vonesë për shkak se rruga ishte e bllokuar.
Pjesët më të prekura nga moti i keq dhe përmbytjet në Maqedoni janë vendbanimet Stajkovci, Haraçina, Hasanbegu dhe Smilkovci. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se deri më tani në këto vendbanime janë konstatuar 22 persona të vdekur, ndër të cilët 13 të identifikuar dhe shumica e të cilëve janë fëmijë. Nga ky dikaster theksojnë se 6 persona mbeten të zhdukur, dhjetëra të lënduar, si dhe shtojnë se të dhënat nuk janë përfundimtare dhe pritet që bilanci të rëndohet edhe më shumë.
Nga Drejtoria Hidrometeorologjike edhe për sonte parashikojnë reshje të rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara nga stuhi dhe erë e forta, veçanërisht në pjesën veriperëndimore të vendit.