Përplasjet para zgjedhjeve në Gostivar: Interpretim ligjor dhe akuza të ndërsjella

67
fresco

Zgjedhjet që do përsëriten në Komunën e Gostivarit kanë përplasur kryeministrin e vendit, Hristijan Mickoski dhe kryetarin e deritanishëm të Gostivarit, Valbon Limanin. Duke i komentuar paralajmërimet e Limanit se do ta kontestojë juridikisht vendimin e mundshëm të qeverisë për emërim të përfaqësuesit të qeverisë si kryetar të Gostivarit, pas dështimit të zgjedhjeve në këtë komunë në zgjedhjet e 19 tetorit, Mickoski sot theksoi se Limani duhet të tregojë, për siç thotë ai, dy plane të detajuara urbanistike, që sipas kryeministrit janë miratuar në mënyrë të paligjshme, shkruan Portalb.mk. Nga ana tjetër, për këtë deklaratë me reagim doli dhe Komuna e Gostivarit.

“U.d. kryetar i Gostivarit nuk e di nëse gjithashtu ka ndarë me ju se ka miratuar në Këshill dy plane të detajuara urbanistike pa mendim nga institucionet, supozoj që nuk e ka thënë. Është vepër penale. Duhet ta ndajë edhe atë me mediat para se të japë sugjerime, ndërsa sa i përket asaj teme, po e kemi hapur atë temë dhe logjike është se do të flasim për atë temë”, tha sot Mickoski.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i komunës së Gostivarit.

“Kryeministri, si duket është keqinformuar lidhur me procedurën e miratimit të dy Planeve Detale Urbanistike në Gostivar. Çdo veprim është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin, konkretisht me nenin 38, paragrafi 2 të Ligjit për planifikim urbanistik.

Sipas këtij neni, Ministria e Transportit ka një afat 20-ditor për të dhënë pëlqim ose për të dorëzuar njoftim me vërejtjet e konstatuara. Në rast se Ministria nuk vepron brenda këtij afati, ligji parashikon qartë që Kryetari i Komunës e dërgon planin në Kuvendin Komunal, i cili e shqyrton dhe vendos në votim në seancën e parë të radhës.

Fakti që planet janë miratuar edhe me votat e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Gostivarit më datë 02.08.2025, tregon se procesi ka qenë i rregullt dhe transparent. Po të kishte pasur parregullsi, këshilltarët nga partia e kryeministrit nuk do të kishin votuar për to”.

Për më tepër, shkruan tutje në reagim, për dy planet e përmendura janë kryer dy inspektime nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, dhe në procesverbalet përkatëse konstatohet qartë se miratimi i tyre është bërë në përputhje me dispozitat ligjore, pa asnjë vërejtje apo shkelje.

“Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të plotë të ligjit. Çdo veprim realizohet në përputhje me kornizën ligjore të shtetit dhe nuk ka vend për interpretime të pasakta apo tendencioze” përfunduan nga komuna e Gostivarit.

Kujtojmë se, komuna e Gostivarit është një rast i veçantë në lidhje me çështjen e emërimit të një përfaqësuesi nga Qeveria, pasi në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale nuk u përmbush kushti për dalje në votime. Për rastin e zgjedhjeve në Gostivar dhe pasojat ka shkruar edhe eksperti juridik, profesori universitar, Denis Preshova. Profesori ka argumentuar se dispozita në Ligjin për Zgjedhjet, sipas së cilës Qeveria duhet të emërojë një përfaqësues (të besuar) të përkohshëm, përbën shkelje të parimit të subsidiaritetit, në kuptimin e tij më të gjerë.

Kuvendi duhet, brenda 60 ditëve, afati ka nisur nga 12 nëntori 2025, të shpallë zgjedhje të reja në komunat ku procesi dështoi. Në zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune, nuk parashihet kusht për dalje minimale të votuesve.

Kujtojmë se në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 përqind ndërsa në Qendër Zhupë 21.49 përqind.

Comments