Përplasjet politike rreth dialogut Kosovë–Serbi në Organizata e Kombeve të Bashkuara
Deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë theksuar nevojën për avancim të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, duke kërkuar ndryshim të qasjes nga Serbia dhe rol më aktiv të faktorit ndërkombëtar.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ecurinë e dialogut, deputetët kanë vënë në pah sfidat aktuale të procesit, rëndësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke.
Deputetja e VV-së dhe kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se pa një qasje reciproke nga Serbia nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut, duke e cilësuar palën serbe si penguese të procesit ndër vite.
“Është shumë e rëndësishme, po ashtu që u përmend dhe një herë që në thelb të gjithë këtij procesi duhet të ekzistojë një qasje reciproke sepse ndryshe nuk ka kuptim të vazhdohet një dialog me një shtet i cili nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, dhe si rezultat i kësaj pengon në vazhdimësi ecurinë tutje në kuadër të procesit, njëjtë siç ka bërë gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Pra, për të pasur normalizim të raporteve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të ketë qasje ndryshe nga ana e Serbisë, e cila përgjatë gjithë kohës, të paktën gjatë këtyre pesë viteve të fundit, është treguar dekonstruktive, penguese dhe ka bllokuar në vazhdimësi procesin sepse s’ka qenë në interesin e saj që t’i përshtatet qoftë asaj çfarë ka derivuar prej marrëveshjeve ekzistuese, qoftë asaj që do të mund të kishte rrjedhë në kuadër të procesit të dialogut nëse i njëjti do të zhvillohej si i mirëqenë”, tha ajo.
Ajo shtoi se edhe faktori ndërkombëtar duhet të reflektojë ndaj kësaj qasjeje, në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete në dialog.
“Kështu që, ne po shpresojmë shumë që Serbia të ndryshojë qasjen për të arritur deri tek ato rezultate konkrete që kërkoheshin edhe prej faktorëve ndërkombëtarë, pra duke nisur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e tutje, pra kemi parë që në vazhdimësi është bërë thirrja për normalizim, për vazhdim të procesit të dialogut, por për të vazhduar procesi i dialogut dhe për të ardhur deri tek një normalizim, pra duhet të ekzistojë një vullnet i tillë prej palëve të cilat janë përfaqësuese në proces dhe në këtë rast pra po flas për Kosovën dhe Serbinë. Dhe nëse Serbia vazhdon ta ketë të njëjtën qasje, atëherë do të jetë problematike që të nxirren rezultate konkrete në kuadër të procesit të dialogut dhe unë besoj që këtë sot e kanë kuptuar madje edhe palët e treta, në këtë rast faktori ndërkombëtar prej SHBA-së e deri tek Bashkimi Evropian. Dhe uroj që dhe ata të ndryshojnë qasjen e tyre në raport me veprimet që i bën Serbia në kuadër të procesit të dialogut dhe t’ja bëjnë të ditur që një qasje e tillë nuk mund të çojë deri tek arritja e një rezultati konkret, e t’i kërkohet të ndryshojë në mënyrë që t’i rikthehemi procesit të dialogut dhe t’i shtyjmë proceset përpara”, tha ajo.
Duke folur për raportin e UNMIK-ut të prezantuar në Këshillin e Sigurimit, Kryeziu-Hyseni tha se ai nuk ka paraqitur në mënyrë të saktë disa elemente, sidomos sa i përket rastit të Banjskës.
“Ju e dini që kemi diskutuar pra për një raport të UNMIK-ut i cili është prezantuar në Këshillin e Sigurimit. Edhe Kosova ka pasur qëndrimin e saj nëpërmjet deklaratës që ka dhënë Zëvendëskryeministrja jonë e parë, e në të njëjtën kohë Ministrja e Punëve të Jashtme, zonja Gërvalla-Schëarz. Pra, qëndrimi i Republikës së Kosovës në raport me këtë, me këtë raport të dorëzuar nga ana e UNMIK-ut është i qartë. Ne mendojmë që nuk janë paraqitur mjaftueshëm mirë disa elemente brenda këtij raporti dhe specifikisht kemi nxjerrë pra të dhënat tona sa i përket raportit ku përfshihet pjesa e Banjskës. Dhe mendojmë që do të duhej të ishte më i saktë veçanërisht në këtë pjesë, sepse po flasim për një sulm terrorist i cili është kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe madje këtu do të duhej të kishte precizitet shumë të madh të ofrimit të të dhënave, dhe unë besoj që këtu i kemi dhënë edhe qëndrimet e tona. Por, le të shohim çfarë do të ndodhë tutje, por megjithatë mendoj që është shumë e rëndësishme që paraqitja jonë ishte ndoshta, një paraqitje tepër e mirë, por dhe në anën tjetër është shumë e rëndësishme që edhe qëndrimet e shteteve të tjera aleate me Republikën e Kosovës, ishin në favor të Kosovës dhe bënin thirrje që proceset të cilat e ndihmojnë rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian të shtyhen përpara bashkarisht, edhe me ndihmën e po këtyre shteteve që në vazhdimësi e kanë ndihmuar ecurinë tonë si shtet”, tha ajo.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri për Ekonomia Online e cilësoi pozitiv rikthimin e vëmendjes amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, duke e konsideruar këtë si një mundësi për përparim të procesit.
“Mbledhja e rregullt e Këshillit të Sigurimit, raport i rregullt në të cilën prapë përfaqësuesi amerikan e përsëriti kërkesën për shuarjen e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë edhe natyrisht u pa rikthimi i vëmendjes amerikane në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Specifikisht në këtë kornizë, përkundër që kemi zhvillime dramatike siç është lufta në Iran, përveç konflikteve të tjera rajonale të cilat po ballafaqohet bota dhe ky është lajmi i mirë sepse roli amerikan në procesin e dialogut është lehtësues dhe mandati i ndërmjetësimit është delegua nga OKB-ja te Bashkimi Evropian”, tha ai.
Ai shtoi se kjo vëmendje duhet të shoqërohet me hapa konkretë dhe një plan dinamik për përmbylljen e dialogut.
“Kjo vëmendje amerikane do të duhej që natyrisht të replikohet në një plan dinamik sepse është në interes të Kosovës të përmbyllet procesi si i tillë. Kemi një marrëveshje kohëve të fundit e cila është arritur mes zotit Kurti dhe zotit Petkoviq për arsim dhe shëndetësi për të cilën unë kam kërkuar që edhe në komision për politikë të jashtme edhe në Kuvend të raportohet sipas mandatit”, tha ai.
Duke folur për misionin e UNMIK-ut, Haziri e cilësoi atë si një mision me rol të kufizuar administrativ, duke theksuar se ekzistenca e tij lidhet kryesisht me mandatin e NATO-s.
Ai tha se ka kërkesa nga partnerët ndërkombëtarë është për zvogëlimin e këtij misioni, si në aspektin e kostos ashtu edhe të personelit.
“Është mision i fjetur administrativ. Këtu është mandati i NATO-s dhe vetëm kjo është arsyeja për të cilën ekziston një mision i tillë. Por në fokus të kërkesës amerikane, britanike më herët edhe disa shteteve të tjera që janë partnerë të Kosovës është që misioni si i tillë të zvogëlohet, minimizohet, kostoja edhe personeli, në mënyrë që për mandatin e NATO-s natyrisht të, ai është dhe do të definohet shumë shpejt në raport Kosovë-NATO, por deri atëherë natyrisht që jemi të kushtëzuar në progresin që duhet ta mbërrijë qeveria në kornizën e dialogut për normalizim Kosovë-Serbi. Dhe kjo është ajo në të cilën Kosova duhet me ndërtuar një konsensus sa më të gjerë politik dhe duhet me ndërtuar një plan i cili Kosovën e çon drejt një mbyllje me me njohje të domosdoshme, të pavarësisë, sovranitetit, territorit, dhe të Republikës tonë nga ana e Serbisë”, tha ai për EO.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza ndaj njëra-tjetrës, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar se normalizimi i marrëdhënieve mbetet rruga e vetme përpara për të dyja vendet.
Ekipi i Kosovës në OKB ka thënë se nuk pret normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa llogaridhënie të qartë për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc dhe garanci për ndalje të agresionit, ndërsa ekipi i Serbisë e ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti për shtypje të zërit të serbëve lokalë.
Kosova e akuzon Serbinë për të kryerjen e të dyja sulmeve, mirëpo Beogradi mohon gjithçka.
Ministri për Punë të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë në takim se Kosova po vazhdon të garantojë stabilitet përmes institucioneve të veta demokratike, ndonëse, sipas tij, Beogradi po vazhdon të luajë rolin e vet destruktiv, duke përmendur përpjekje të Beogradit për ndërhyrje në zgjedhjet e Kosovës për të mbështetur Listën Serbe, ashtu që të pasqyrojë ”regjimin e tij përmes një partie në pushtet”.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh prej vitit 2011, mirëpo jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Peter Nicolaisen Due, i ka përmendur një mori procesesh që kanë marrë vëmendjen në Kosovë në muajt e fundit, nisur nga konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe çështja e presidentit, duke bërë thirrje që kjo e fundit të ketë epilog shpejt dhe që të shmangen zgjedhjet e reja.
Ai ka thënë se shpreson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen në një të ardhme të afërt në Bruksel.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kosova, kanë insistuar që puna e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ka mbaruar, përderisa Serbia ka insistuar në vazhdimin e punës së tij.
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

