PËRZGJEDHJE PËR PRANIM TË 600 POLICËVE, RRETH 4000 KANDIDATË LUFTOJNË PËR TË HYRË NË RRETHIN E NGUSHTË
Mevludin Saiti është njëri prej rreth 4000 kandidatëve të paraqitur në konkursin e MPB-së për pranimin e 600 policëve. Saiti deklaroi se gjithmonë ka dashur të mbajë uniformë dhe për këtë qëllim vullnetarisht ka kryer shërbim ushtarak 6 mujor. Megjithatë, siç thotë, është pesimist se do të hyjë në rrethin më të ngushtë, sepse sistemimi i eliminimit nuk do të jetë fer, por i bazuar në nepotizëm.
Testimi i përgatitjes fizike është hapi i parë që Mevludi dhe kandidatët e tjerë do të duhet ta kalojnë për t’iu nënshtruar testimit për aftësitë intelektuale dhe emocionale. Për kapërcim në rrethin tjetër luftojnë edhe 768 femra.
“Jam e gatshme për çfarëdo sfide dhe jam e ndërgjegjshme për rreziqet, por do të jap gjithçka nga vetja sepse bëhet fjalë për ruajtjen e shtetit tonë. Do të jap gjithçka nga vetja që të hyj në punë, sepse këtë gjithmonë e kam dashur”, u shpreh Emilija Zdravkovska, Kandidate për police.
Kontrollet e kandidatëve kryhen në kazermat “Gjorçe Petrov” dhe “Ilinden” dhe në Qendrën trajnuese “Idrizovë”. Nga ministria e brendshme informojnë se në konkurs janë paraqitur kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike, me ç’rast të gjithë u janë mundësuar kushte të barabarta për t’i shfaqur aftësitë e tyre.
“Për çdo disiplinë fizike është paraparë kohë e caktuar. Për shembull për ushtrimet e pompave, nëse kandidati për 10 sekonda ia del të bëjë 9 pompa, merr 3 pikë. Për çdo pompë shtesë, fiton poena plus. Të gjitha poenët e fituara në të gjitha disiplinat, mblidhen dhe në fund, ata me rezultatet më të mira, hyjnë në listën pranuese”, tha Jordan Llamanovski, nga Sektori për marrëdhënie me publikun dhe çështje strategjike.
Në pyetjen e TV21 se sa policë janë punësuar gjithsej, Llamanovski tha se nuk e di me saktësi, për arsye se ky numër vazhdimisht ndryshon. Përndryshe, me kandidatët që do t’i kalojnë të gjitha fazat e përzgjedhjes, do të bëhet intervistë, ndërsa listat përfundimtare të të pranuarve priten në fillim të tetorit. Të 600 të pranuarit më pas do të kenë trajnim për policë në kohëzgjatje prej një viti, që përfshin 9 muaj teori dhe 3 muaj trajnim për kondicion fizik.