Peshkopja i bën thirrje Trump për ‘‘mëshirë’’ ndaj grupit LGBTQ+: Presidenti ‘përgjigjet’ me kritika

Në ditën e tij të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dondal Trump, për pak kohë qëndroi në Katedralen Kombëtare në Uashington, për meshën që u zhvillua aty, shkruan Gazeta Express.
Në zhvillimin e kësaj meshe, presidentit amerikan iu bë një kërkesë nga, Mariann Budde, e cila është Peshkope Episkopale e Uashingtonit, raporton AP.
Kjo e fundit, i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Presidentit Trump që të ketë ‘‘mëshirë’’ për komunitetin LGBTQ+ dhe punëtorët migrantë pa dokumente.
Duke iu referuar fjalimit të presidentit se ai u shpëtua nga Zoti nga vrasja, Budde tha: “Ju keni ndjerë dorën e një Zoti të dashur. Në emër të Zotit tonë, ju kërkoj të keni mëshirë për njerëzit në vendin tonë që tani janë të frikësuar.”

Pas kësaj, vetë Trump me tu kthyer në Shtëpinë e Bardhë, u pyet dhe u deklarua për fjalimin dhe kërkesën e Budde.
“Jo shumë emocionuese, apo jo?”, deklaroi presidenti ndërsa ecte me stafin drejt Zyrës Ovale. “Nuk mendoja se ishte një shërbim i mirë. Ata mund të bënin shumë më mirë.”
Shërbimi i Katedrales Kombëtare të Uashingtonit u përqendrua kryesisht në unitetin kombëtar. Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance ishin të pranishëm me familjet e tyre, së bashku me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe kandidatin për Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Në predikimin e saj, Budde tha se ata u mblodhën “për t’u lutur për unitet si popull dhe komb – jo për marrëveshje, politike apo ndryshe – por për llojin e unitetit që nxit komunitetin përtej diversitetit dhe ndarjes”. /GazetaExpress