Pikantet e Partizani-Elbasani/ Përplasje mes tifozerive, çfarë ndodhi në fundin e sfidës së polemikave

294

Sfida në “Arenën e Demave”, mes Partizanit dhe Elbasanit pati edhe shumë momente pikante të rezervuara më së shumti nga shkallët e tribunave. Tifozët ishin mjaft aktivë, teksa nuk munguan edhe përplasje verbale në distancë, teksa akuzave nuk i shpëtoi as gjyqtari Eldorian Hamiti.
Në fund, pati shumë tension mes lojtarëve dhe stafit të Partizanit kundrejt kryesorit lezhjan për penalltin e akorduar në fundin e ndeshjes. Ju kurrë nuk do të jeni vetëm, është mesazhi që vjen nga tribunat në mbështetje të Partizanit, banderola që shpaloset që në fillimin e ndeshjes.

-Rreth minutës së 30-të regjistrohen përplasje në tribunën qëndrore mes tifozëve vendas dhe atyre të Elbasanit. Situata tensionohet pas disa thirrjeve dhe ofendimeve në drejtim të trajnerit Kërnaja me tifozët vendas që dalin në mbrojtje të trajnerit të skuadrës së tyre.

-Në minutën e 36-të, Hamiti akordon një faull në sulm për Partizanin. Vendimi shoqërohet me reagimin e Bunjakut, i cili i drejtohet arbitrit të katërt me tone proteste; “A po tallet ky?”

-Minuta e 44-tërt sjell momente paniku në stadium, pasi Isgandarli përplaset fort me një kundërshtar dhe mbetet i shtrirë në tokë. Stafi mjekësor i Partizanit, por edhe i Elbasanit futet menjëherë në fushë, ndërsa Bytyçi sinjalizon se gjithçka është në rregull. Lojtari ngrihet mes duartrokitjeve të tifozëve.

-Në minutën e 51-të, ndeshja ndërpritet për pak çaste, me lojtarët që konsumojnë ujë, duke qenë se disa prej tyre janë me agjërim. Nga tribuna vijnë edhe udhëzime për lojtarët. Gvozdenoviç që qëndron në tribunë pas pezullimit me karton të kuq, jep direktiva për numrin Nongoh, duke i kërkuar më shumë angazhim në fushë; “Jep gjithçka nga vetja”, i bërtit tekniku lojtarit të tij. Më pas ka edhe orientime për Kotorrin, moment në të cilin ndërhyn arbitri i katërt.

-Nga tribuna e Partizanit nuk mungojnë kritikat ndaj gjykimit të Hamitit, sidomos pas një faulli të akorduar në dëm të Contreras. “O kriminel lufte, o iranian”, bërtet një tifoz i Partizanit në drejtim të Hamitit. Rasti i penalltisë në fundin e ndeshjes, trajneri Kërnaja kërkoi një pozicion jashtë loje në fillimin e aksionit të Elbasanit teksa bërtet, “turp të keni”.

-Loja përfundon mes tensionit, Sidibe nervozohet me lojtarët e Elbasanit, Bytyçi proteston te Hamiti dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuqin edhe pse sfida ishte mbyllur. Për të protestuar shkon edhe Murataj, por mesfushorin e ndal trajneri Kërnaja.

-Ndërkohë, drejtori sportiv i Elbasanit, Elton Guranjaku shkon afër tribunës së tifozëve të Partizanit për të duartrokitur, por largohet nga tifozeria e “Demave” që nuk e pranon.

Comments