Plani i Gruevskit për ta ‘paralizuar’ Talatin

424

Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se partia e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski po krijon mekanizma juridik për të bllokuar punën e Kuvendit.

Partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE, aktualisht në opozitë, nuk ka formuar një grup parlamentar, por dhjetë grupe të ndara me dhjetë koordinatorë të ndryshëm.
Një veprim i tillë, nga VMRO-DPMNE, është arsyetuar se në këtë formë po i kontribuohet zhvillimit të debatit në institucionin ligjvënës.

Nga Instituti për Demokraci, organizatë kjo e cila për më gjatë se tri vjet po monitoron punën e Kuvendit të Maqedonisë, sqarojnë se në bazë të rregullores së punës së Kuvendit, VMRO-DPMNE duke pas dhjetë koordinatorë të grupeve parlamentare, përmes paraqitjeve procedurale do të mund të bllokojnë me ditë të tëra, madje dhe javë, iniciativat e shumicës parlamentare, përmes ndërhyrjeve procedurale.

Kjo formë e bllokadës, sipas këtij Instituti, po ndodhë në kohën kur Kuvendi duhet të kalojë ligjet me prioritet që ndërlidhen me proceset integruese, përkatësisht me planin e paralajmëruar nga Qeveria, të njohur si “plani 3-6-9” (plani tre mujor).

Vlora Reçica nga Instituti Demokratik thotë se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë mbetet ndryshimi i rregullores së punës së Kuvendit të Maqedonisë, njofton Radio Evropa e Lirë.

“Ideja për pjesëmarrje më të madhe të deputetëve në diskutime, në parim është demokratike, por ajo do të arrihet me ndryshimin e rregullores së punës ku do të zgjatej koha për diskutim për të gjithë deputetët”.

“Duke gjykuar nga përvoja e mëhershme, që me formimin e grupeve parlamentare, koordinatorëve u mundësohet më shumë hapësirë për të diskutuar. Ka shumë gjasa që kjo mundësi të shfrytëzohet për të bllokuar punën e Kuvendit të Maqedonisë, veçanërisht gjatë periudhës kur duhet të realizohen reformat urgjente në më shumë lëmi”, thotë Reçica.
Ndryshe, ish-kryeministri Nikolla Gruevski në paraqitjen e tij para një jave, menjëherë pas konferencës për shtyp të Prokurorisë Speciale Publike, e cila bëri të ditur se ka ngritur 18 aktpadi të reja, mbi bazën e të cilave ndiqen penalisht zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së, tha se po përfundon koha kur partia e tij dhe deputetët e kësaj partie do të sillen në mënyrë konstruktive.

Njohësit e çështjeve politike thonë se bllokimi i punës së Kuvendit, më së paku do t’i sjellë diçka të mirë VMRO-DPMNE-së.
“VMRO-DPMNE absolutisht si parti parlamentare, me bllokimin e punës së institucionit ligjvënës nuk do të fitojë asgjë, madje mendoj se do të dalë humbëse sepse qytetarët e Maqedonisë tanimë treguan se dinë të dënojnë politikat populiste dhe ata të cilët nuk punojnë në funksion të demokratizimit të institucioneve, por për interesa të ngushta të krerëve të kësaj partie”, thotë Mitko Gaxhoski nga fakulteti i Shkencave Politike në Shkup.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka theksuar se ai nuk mund ta pengojë formimin e 10 grupeve parlamentare, por kjo shkakton huti tek elektorati se për cilin grup parlamentar ata kanë votuar dhe kush në fakt prezanton interesat e tyre

Comments