Po punohet për ujësjellësin e Gremes dhe të Rakajve
Projekti i zvarritur prej vitesh, për shkak të problemeve pronësore, pritet të përfundojë kësaj vjeshte dhe banorët e Gremes e të Rakajve të kenë ujë të cilësisë së mirë në krojet e tyre.
Autoritete komunale dhe të KRU “Bifurkacioni”, bënë të ditur se po punohet me ritme të shtuara rreth përfundimit të ujësjellësit, i cili do t’i furnizojë me ujë të pijes banorët e Gremes dhe ata të Rakajve.
Drejtori i infrastrukturës në ekzekutivin e Ferizajt, Gafurr Ilazi dhe drejtori i KRUK “Bifurkacioni”, Nazif Asllani”, thanë se aktualisht punët janë përqëndruar në sistemin e pompimit, ndërkohë që kanë përfunduar disa punë me rezervuarët dhe me shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit.
Deri tani janë shtrirë rreth 37 kilomtra tubacion. Sipas këtyre zyrtarëve, pritet që nga fundi i shtatorit, ose fillimi i tetorit, të përfundojë njëri nga projektet më të mëdha të ujësjellësit në komunën e Ferizajt.
Ujësjellësi i Gremes dhe i Rakajve është një projekt me kosto rreth 674 mijë euro, në të cilën Komuna e Ferizajt merr pjesë me 331.500 euro, Qeveria e Zvicrës me 237.000 euro dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me 105.600 euro.