PO SKADOJNË AFATET, NJËSITË ZGJEDHORE JANË ENDE ÇËSHTJE E PAZGJIDHUR
Edhe pse ka mbetur vetëm një javë deri te shpërbërja e Kuvendit, çështja e votuesve të tepërt të Njësisë së gjashtë zgjedhore ende nuk është zgjidhur. Në ndërkohë, Kerolin Karlson, pronare e kompanisë amerikane për ripërtëritjen e të dhënave të votuesve, për “Zërin e Amerikës”, tha se pa listë të pastruar zgjedhore nuk do të ketë zgjedhje legjitime. Partitë politike me qëndrime të ndara sa i përket kësaj çështjeje. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski thotë se lista zgjedhore është e pastruar dhe se në Maqedoni duhet sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet.
„Gjithçka që ne bëjmë, jo vetëm tani, por që një vit e gjysmë, është që sa më shpejtë Maqedonia të shkojë në zgjedhje tw parakohshme parlamentare, si mënyra e vetme që kriza politike të marrë fund”, u shpreh Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Nga LSDM ishin të vendosur se me vullnet të mirë mund të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura. Mbetën me qëndrimin se nuk ikin prej zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.
„Edhe çështja e njësive zgjedhore me vullnet të mirë politik mund të zgjidhet. Ndërsa sa i përket pastrimit të listës zgjedhore, duhet ta kemi parasysh se në përputhje me afatet që i ka KSHZ, përsëri do të ketë kontroll publik, ku personat që nuk janë në këtë listë zgjedhore, do të mund të paraqiten”, tha Goran Sugareski, nga LSDM.
Rafiz Aliti nga BDI tha se pa zgjidhjen e çështjeve me listën zgjedhore dhe me njësitë zgjedhore, në Maqedoni nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike më 11 dhjetor. Nga PDSH-ja, kërkojnë që çështjet kyçe të zgjidhen me konsensus.
Aliu shtoi se PDSH nuk do të përkrah asnjë nismë e cila për qëllim ka zgjidhjen e çështjeve të njësive zgjedhore vetëm nga aspekti ligjor-juridik. Nga KSHZ, edhe pse paralajmëruan se do të dalin me qëndrim për listën zgjedhore, ata nuk dolën. Presin që të shpallen zgjedhjet dhe afatet të rrjedhin.