Policët sllovakë sot mbërrijnë në Maqedoni

232

 

Një grup i ri nga 25 pjesëtarë të policisë së Republikës së Sllovakisë, sot do të mbërrijnë në Maqedoni. Ky është rotacioni i gjashtë i policëve nga Sllovakia të cilët do të sistemohen në rajonin e Manastirit dhe Mexhitlisë.

Policët sllovakë, në bazë të Memorandumit për mirëkuptim midis ministrive të punëve të brendshme të Republikës së Sllovakisë dhe Republikës së Maqedonisë, realizojnë aktivitete të përbashkëta patrulluese me kolegët nga Maqedonia në kufirin shtetëror me Greqinë, me qëllim të parandalimit në sferën e sigurisë publike dhe kalimit të paautorizuar të kufirit shtetëror.

Policët do të jenë të pajisur në mënyrë adekuate me automjete terreni, kamera termale dhe pajisje për shikim në mbrëmje. Mandati i misionit policor sllovak do të jetë 30 ditë me mundësi për vazhdim.

Sllovakia në vitin 2016 ka dërguar gjithsej 125 nëpunës policorë që, siç theksojnë në kumtesën nga Ambasada sllovake në Maqedoni, është kontributi më i madh për kokë banori nga tetë shtetet e huaja, të cilat marrin pjesë në operacionet e përbashkëta në Maqedoni.

“Ndihma është shfaqje e solidaritetit në zgjidhjen e krizës së migrantëve dhe në kontekst të kryesimit të përfunduar sllovak në Këshillin e BE-së, ku një nga prioritetet ishte ‘politikë të qëndrueshme migruese dhe të azilantëve’”, qëndron në kumtesë.

Comments