Me fillimin e pushimeve verore, në shumë objekte hotelerike siç janë, kafeteritë, diskotekat e të ngjashme qëndrojnë shumë të rinjë, mes tyre edhe të mitur të moshës nga 14 deri më 16 vjeç, të cilët, siç njofton Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës, shpeshherë konsumojnë edhe pije alkoolike me çka përveç pasojave në shëndetin e tyre, cënojnë edhe rendin dhe sigurinë publike.
“SPB Tetovë i rikujton pronarët e objekteve hotelerike dhe tregtare që të mos shesin dhe të mos shërbejnë pije alkoolike për të miturit, ngase do të ballafaqohen me sanksione që parashihen sipas Ligjit, duke llogaritur dënime me të holla apo me burg nga tre muaj deri në tri vjet. Nëse të miturit janë fëmijë, sanksionet janë ende më rigoroze” – thuhet në një komunikatë nga Policia e Tetovës, ku veç të tjerash thuhet se dënimet për shkeljen e rendit dhe qetësisë publike parashihen dënime në të holla prej 100 deri në 400 euro në kundërvlerë në denarë.
Art Channel bën të ditur se edhe pse disa nga pronarët e klubeve thonë që respektojnë vendimin e sjellë sepse në të kundërt duhet të përballen me sanksione në të holla apo edhe burg, pjesa tjetër e tyre thonë se janë kundër kësaj kumtese, sepse pikërisht gjatë kësaj periudhe klubet kanë përfitime më të mëdha me shitjen e alkoolit.