Policia zbulon ‘shtëpi bari’: Djali arrestohet, nëna procedohet, babai në kërkim

84
fresco

Një vilë dykatëshe në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe në Shqipëri e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me llamba, është zbuluar nga policia.
Gjatë operacionit të koduar “Neonët 2”, policia e Shkodrës vuri në pranga shtetasin Daniel Buraj. Po ashtu është shpallur në kërkim babai i të arrestuarit, shtetasi Sokol Buraj, si i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa është proceduar edhe nëna e tij.

Policia ka ndaluar edhe shtetasit Ersid Çulaj dhe Ferndinand Dedaj. Të gjithë personat e ndaluar rezultojnë të jenë punonjës të OSHEE-së, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Policia po ashtu sekuestroi 287 bimë dhe fidanë kanabisi, 515 gramë kanabis të tharë, municion luftarak dhe pajisjet elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve, raporton A2CNN, transmeton Klankosova.tv.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në zbatim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.

Si rezultat u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 2”. Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 22 vjeç, u procedua penalisht nëna e tij, shtetasja F. B., 54 vjeçe, dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi S. B., 57 vjeç, të tre banuese në fshatin Bajzë.

Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetaseve dhe në një banesë të pabanuar në fshatin Bajzë, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 119 bimë dhe 168 fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa, municion luftarak, 1 armë të ftohtë (thikë), 49 llamba, 47 pajisje elektrike inverter, 3 aspiratorë, 2 filtra ajri, 2 automjete dhe 9 celularë. Gjatë kontrollit në banesën e pabanuar, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit S. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 138 arka dhe shishe me pije të ndryshme alkoolike, të dyshuara të kontrabanduara.

Në vijim të veprimeve hetimor dhe procedurale për këtë rast:

-u ndaluan shtetasit E. Ç., 27 vjeç dhe F. D., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Bajzë, dhe nisi procedimi penal për shtetasit L. L., 52 vjeç, banues në fshatin Bajzë, dhe I. D., 53 vjeçe, banuese në Koplik, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

Comments