“Politika e SHBA-së ndaj Kosovës e pandryshueshme”



Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Greg Delawie, ka thënë se nuk pret që zgjedhja e mundshme e Donald Trump president do ta ndryshojë politikën e jashtme amerikane në raport me Ballkanin dhe Kosovën.
Ai ka deklaruar se duhet të pritet përfundimi i procesit të numërimit të votave, por se duket që Trump do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, njofton Klan Kosova.
“Tash për tash ende janë duke u numëruar votat, ndaj duhet pritur që ky proces të kryhet. Por duket se Donald Trump do të fitojë 270 votat elektorale që duhen për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë”.
“Kolegji Zgjedhor do të takohet në mesin e dhjetorit, që i përmbahet, në shumicën e rasteve, votës popullore”.
“Jam i lumtur që votimi në të gjithë vendin ishte i qetë, megjithë shqetësimet se mund të ndodhte dicka. Mendoj që shumë njerëz janë të lumtur që kanë pasur mundësinë të votojnë për kandidatin e të preferuar”.
“Politika e jashtme e SHBA-së në raport me Ballkanin ka qenë konsistente në dekadat e fundit, ndaj nuk pres që ajo të ndryshojë. Ka pasur mbështetje të fuqishme për Kosovën përgjatë gjithë spektrit politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mendoj që raportet tona janë të shkëlqyeshme”. /klankosova.tv