PPD reagon ndaj arrestimit të hetuesit të PSP-së; BESA, mbështetje punës së PSP-së



Partia për Prosperitet Demokratik ka reaguar ndaj arrestimit të hetuesit të PSP-së, duke e quajtur atë një veprim antiligjor.
”PPD konsideron se MBP ende nuk i ka hyrë punës për transformimin demokratik të DSK kërkesë kjo e Raportit Pribe, dhe se ky organ ende vepron me avazin e vjetër si në shtetet policore dhe diktatoriale duke pasur synim parësor ti ndjek qytetarët e jo të jetë në funksion të forcimit të sigurisë shtetërore.”
”PPD gjithashtu konsideron se arrestimet kohë e pakohë të hetuesve të cilët punojnë në funksion të realizimit të detyrave të Prokurorisë Speciale janë një veprim i rrezikshëm antiligjor dhe antikushtetutar për pengimin e punës së PSP-së.”
”PPD i fton partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhvinos me të cilën u krijua PSP dhe komunitetin ndërkombëtar që edhe njëherë të takohen dhe ta riafirmojnë qëndrimin e tyre për përkrahje të parezervë të PSP me qëllim që ajo pa obstruksione ta kryejë punën e saj për të cilën edhe është votuar në parlament.” thonë nga PPD-ja.
Edhe nga Lëvizja Besa kanë dalur me një letër mbështetëse për Prokurorinë Speciale Publike në të cilën thuhet se ”Besa kërkon hetim të plotë për ndriçimin e të gjitha rasteve dhe për këtë e inkurajon Prokurorinë Speciale, pasi që kjo do të na dërgonte në zgjidhjen e krizës politike në vend – kurse çdo pengim i punës së PSP-së do ta thellonte edhe më shumë krizën.
“Përgjimet e pa autorizuara dhe keqpërdorimi i tyre nga Qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI, patjetër të ketë një epilog gjyqësor dhe përgjegjësi publike”, theksojnë nga Lëvizja Besa.