Presidentja e Komisionit Evropian nuk i shkon Kurtit në qeveri, takohen në Kuvend

83
fresco

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk do t’i shkojë Kurtit për takim në qeveri.

Kjo pasi Zyra e BE-së kishte njoftuar se më nuk takohen me Kurtin në cilësinë e kryeministrit, pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Qeveria ka njoftuar se takimi do të bëhet në ndërtesën e Kuvendit.

Më 8 gusht, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti së zyrtarët e BE-së më nuk do ta takojnë në zyrën e tij në Qeveri.

Përmes një letre, ai kishte bërë me dije se vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve në kryeministri dhe zyrat e ministrave.

Aty qartësohet se kjo do të zgjasë deri në krijim e qeverisë së re.

Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, ishte thënë në letrën e shefit të Zyrës së BE-së.

Në letër përmendej Aktgjykimit i Gjykatës Supreme, i cili kishte konstatuar se kryeministri dhe ministrat nuk mund të mbajnë njëkohësisht edhe postin e deputetit.

Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional. Kjo letër synon gjithashtu të shmangë çdo paqartësi apo keqinterpretim në të ardhmen, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë. E konsiderojmë thelbësore që angazhimet tona institucionale të jenë plotësisht të harmonizuara me kuadrin kushtetues të Kosovës dhe vendimet e gjykatës më të lartë të saj”, ishte thënë në letër.

Më tej, tregohet se zyrtarët e lartë të BE-së dhe të vendeve anëtare do të vazhdojnë të mbajnë bashkëpunimit me homologët përkatës për sigurimin e bashkëpunimit në fushat kyçe.

Besojmë se kjo masë do të kuptohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe në dritën e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj qeverisjes së mirë dhe parimeve demokratike që gjithmonë kanë udhëhequr partneritetin tonë”, vlerësohej në letër.

Për shkak të veprimeve të Qeverisë në veri, Kosova është nën sanksione të BE-së nga qershori i vitit 2023.

Ndonëse institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar heqjen e këtyre sanksioneve, vendet anëtare të BE-së kanë hezituar ta bëjnë një gjë të tillë.

Vizita e shefes së Komisionit Evropian në Kosovë realizohet në kuadër të një turneu ballkanik që po zhvillon ajo. Paraprakisht, ajo ka vizituar Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë. Më pas do të shkojë edhe në Maqedoni të Veriut.

Comments