Prifti që luftoi greqizimin e Shqipërisë

260

Në kuadrin e 100–vjetorit të Pavarësisë sonë Kombëtare, mbarë populli shqiptar kudo që është, për asnjë çast nuk do të harrojë që në themelet e kësaj Pavarësie qëndron kontributi i përpjekjeve dhe punës titanike të rilindësve të botës shqiptare.

Puna e madhe dhe vetëmohuese e tyre ishte për të zhvilluar e mbajtur gjithmonë të gjallë gjuhën tonë kombëtare dhe idenë e atdhedashurisë, që është kryer me sukses në sajë të një ndërgjegjeje të lartë patriotike dhe të punës së madhe, pa marrë parasysh edhe sakrificën e jetës së tyre.

Në vigjilje të Pavarësisë, historikisht dihet se në prag të fillimshekullit që kemi lënë pas, gadishulli i Ballkanit po përjetonte momentet nga më të ndërlikuarat dhe populli shqiptar e njohu shumë më mirë fytyrën ë shëmtuar antinjerëzore të shovinizmit ballkanas.

Mbretërit dhe kralët, ministrat dhe gjeneralët e shteteve të gadishullit, që në këtë kohë e kishin fituar pavarësinë nga okupimi i Perandorisë Osmane përpara Shqipërisë, ëndërronin për një Greqi të madhe, Serbi të madhe, Bullgari të madhe, duke synuar për të aneksuar pjesën Jugore dhe Veriore të Shqipërisë.

Kjo ishte periudha kur gjithçka digjej dhe përvëlohej, periudhë kur vriteshin e masakroheshin burra e gra, fëmijë e pleq nëpër trevat tona nga këta shovinistë të tërbuar fqinjë, të cilët përpos aneksimeve territoriale synonin që të asimilonin mbarë kombin shqiptar, duke i mohuar edhe shkollat e gjuhën tonë amtare.

T’i biem shqiptarizmit kokës kudo që të shfaqet, në kishë, xhami e në shkollë, në familje e në pazar, kudo, kudo në qytet e në fshat, sepse ai i ka rrënjët ndër shekuj në thellësi të tokës shqiptare, në gjakun e vet, në zemrën e vet; ishte propaganda shfrenuese e fondamentalistëve të megaloidhesë të asaj kohe.

Në këtë periudhë, të dilje përpara shovinizmit grek me kaq bindje dhe vetëmohim, si Ata Kristo Negovani, ishte njësoj si të hidheshe në grykën e mitralozit të armikut.

Prandaj, rilindësit tanë dhe shtypi i asaj periudhe që botohej nga patriotët shqiptarë si brenda ashtu edhe jashtë në Sofje e Bukuresht, e çmuan aq shumë gjestin e mësuesit e të priftit Negovani, si dëshmor e martir për shkollën e gjuhën shqipe që mbeti deri në ditët e sotme si një nga pishtarët e pavdekshëm të botës shqiptare.

Kristoja lindi në Negovan më 1873. Mbas mbarimit të shkollës fillore greke të fshatit, i ati Harallambi e regjistroi në Liceun e Athinës, pasi në atë kohë merrej me karvanët e tregtisë Athinë – Selanik – Follorinë. Mirëpo në vitin e fundit ai ndërpret mësimet, pasi babanë ia vranë kusarët gjatë një prite të karvanit, në këto rrethana fillon punën si mësues për shkollat greke Negovan, Ballkamen, Leskovec, Kotor.

Fshati Negovan në atë kohë, tregon gjyshja jonë Efrosina Papakristo Negovani, ishte shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë dhe mësuesi, dhaskali Kristo, krahas klasave në gjuhën greke, hapi edhe klasat e para e të dyta të fillores në gjuhën shqipe.

Kjo i shqetësoi shumë qeveritarët në Kozanë të Follorinës dhe i erdhën për kontroll. Raporti i kontrollit, theksonte gjyshja, e vlerësonte shumë nivelin e mësimdhënies nga ana metodike e pedagogjike, por e kritikonte ashpër për klasat që kishte hapur në gjuhën shqipe, megjithëse ai e mbronte për arsye se fëmijët e klasave të para të shkollës fillore nuk kuptojnë asnjë fjalë greqisht dhe se ata dinë vetëm gjuhën e nënave të tyre shqip.

Komisioni insistoi që të mbyllen edhe në vitin e ardhshëm shkollor, të mos ketë mësimdhënie në gjuhën shqipe, kjo e shqetësoi mjaft gjyshin.

Si rezultat i moszbatimit të këtij vendimi, pavarësisht nga niveli i lartë i mësimdhënies dhe pa marrë mendimin e kryesisë të pleqësisë së fshatit që e përkrahte dhaskal Kriston, i vjen mandati i pushimit nga puna dhe urgjentisht në vend të tij erdhi një dhaskalicë dhe një dhaskal nga Selaniku që nuk dinin asnjë fjalë shqip.

Në këto rrethana, për të mbajtur ekonomikisht familjen largohet nga fshati dhe emigron në Rumani, duke punuar si marangoz nëpër kantieret e ndërtimeve në Bukuresht dhe Kostancë.

Në këtë kohë ai i gjeti shqiptarët atje shumë të organizuar në shoqëri të mirëfillta patriotike dhe Negovanasit e Ballkamenasit kishin ngritur shoqërinë e tyre “DJALËRIA”, ndërsa kushëriri i tij, Mihal Xoxe, kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike.

Librat e Frashëllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, që botoheshin në këtë shtypshkronjë, ndezën akoma më shumë ndjenjat patriotike të mësuesit Kristo.

Ato tre vjet që punoi Kristoja në Rumani, qenë për të një shkollë e madhe që solli një ndryshim të thellë në ndërgjegjen e tij, mbasi ato e bënë nga një njeri me arsim dhe edukatë greke, në një militant të shquar të lëvizjes sonë patriotike.

Ishte koha kur shovinizmi grek filloi të veprojë lirisht kundër të gjitha vendeve të tjera fqinje, që pengonin helenizmin mbi këtë zonë të okupuar nga Turqia në Ballkan. Ishte koha kur edhe lëvizja e jonë nacionale, nga një lëvizje propagandimi për gjuhën, shkollën dhe kulturën kombëtare po kthehej gradualisht në një lëvizje të armatosur kundër Turqisë dhe synimeve të shovinizmave fqinj, sidomos atij grek, që ishte lëshuar me egërsi për helenizimin edhe të banorëve të pjesës Jugore të Shqipërisë.

Pas tre vjet emigrim dhe në kontakt gjithmonë me rilindësit e Bukureshtit dhe të Sofjes, në vitin 1897, tregon gjyshja Efrosia, Kristoja kthehet në fshat dhe me guxim të madh rifillon luftën kundër propagandës shoviniste greke.

Kjo ishte një punë shumë e rrezikshme, se në atë kohë, krahas zhvillimit të gjuhës dhe të letërsisë shqipe me frymë patriotike dhe fillimit të lëvizjes sonë të armatosur, shovinizmi grek ishte tmerrësisht i egërsuar dhe Negovani, Ballkameni shkeleshin vazhdimisht si nga çetat bullgare, ashtu edhe nga andartet grekë.

Kristoja, duke qenë i sigurt se nga pozitat e fesë do ta luftonte me më sukses propagandën greke me platformë fetare, me ndihmën e rilindësve shqiptarë të Stambollit, siguroi dokumentin nga Patriarkana Ortodokse Botërore e Stambollit që shugurohet si prift i kishës në Negovan e Ballkamen; me të cilin mbasi e paraqiti në organet qeveritare të Follorinës dhe në kryesinë e pleqësisë së fshatit, filloi ceremonitë fetare, duke e dhënë meshën në gjuhën shqipe.

Kjo u mirëprit nga të gjithë banorët shqiptarë të Kazasë Manastir – Follorinë – Kostur, por trishtoi mjaft dhespotin e Kosturit Karavangjelis, i cili vinte në dyshim për gjuhën që do të përdorej gjatë predikimeve fetare.

Ardhja e gjyshit me katër mushka të ngarkuara, tregon Efrosina, bënë shumë përshtypje në fshat dhe flitej poshtë e përpjetë që do hapë punishte për përpunimin e drurit. Mirëpo kur ato ngarkesa u hapën, doli që ato ishin vetëm libra; gjysmat i nisi menjëherë për në Korçë, ndërsa me gjysmën tjetër ai hapi në katin e dytë të shtëpisë shkollën në gjuhën shqipe, ku filluan të mësojnë më shumë se 180 fëmijë e të rritur nga fshati Negovan e Ballkamen. Fëmijët vinin ditën, ndërsa të rriturit kur ktheheshin nga puna deri në orët e vona të natës.

Kjo shkollë n′atë kohë u vlerësua shumë nga rilindësit, pasi nuk ishte vetëm një institucion për arsimin në gjuhën shqipe, por ishte edhe si një vatër që ngrohu ndjenjat patriotike të bashkëfshatarëve për të gjithë trevën.

Duke filluar nga viti 1899, ai filloi të botojë librat e tij shkollorë dhe kishtarë në shtypshkronjat e shoqërive të Bukureshtit dhe të Sofjes.

Me artikujt e poezitë që botonte nëpër organet e shtypit të asaj periudhe, ai u bë shpejt i njohur si një nga propagandistët e flaktë të çështjes kombëtare, me anën e të cilave kërkonte forcimin e lëvizjes sonë mbarë shqiptare, lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe përhapjen e shkrim leximit shqip në masë.

“Shkronjat e bëjnë kombin të quhet komb”, thoshte ai dhe vazhdonte: “Po të mos kemi shkronjat shqip, dituria e kombeve të tjera do të na mbysë, nuk do të dëgjohet me fjala shqipëtar e shqip”.

Këto kërkesa kulturore Atë Kristoja i lidhte ngushtë me detyrën e madhe që kishte Rilindja jonë në atë kohë, me bashkimin në luftë kundër Turqisë, për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut dhe në këtë kuadër predikonte: “Vallë cila na ndalon të mos mësojmë gjuhën tonë, e të mos kemi shkollat tona kudo e në gjuhën tonë në Shqipëri?

Qeveria otomane, e cila nuk do bashkime të shqiptarëve, ka frikë se bashkimi bën fuqinë, fuqia dëbon armiknë lark vatrës, e shkund dhe e hedh tej zgjedhën”.

Propagandën shoviniste greke, me dukje fetare, Atë Kristoja e luftoi po nga pozitat e ortodoksisë, për të na bërë të qartë dallimin midis fesë dhe kombësisë, se ortodoksizmi s′është i lidhur vetëm me gjuhën greke; për të qenë ortodoks i mirë, predikonte ai, duhet kuptuar se çfarë thuhet në kishë, prandaj kisha në gjuhën greke nuk i shërben ortodoksisë shqiptare.

Ai kritikonte çdo akt e veprim që pengonte zhvillimin e lëvizjes sonë kombëtare. Mirëpo një propagandë e tillë kundër shovinizmit të egërsuar grek që në atë kohë ndiqte me reprezalje në masë elementin shqiptar, ishte një punë mjaft e rrezikshme.

Megjithatë puna e tij si mësues dhe njeriu i fesë, predikues i ideve kombëtare dhe sidomos vendosmëria e tij për të mos u lëkundur edhe në çastet më të vështira, e bënë Papa Kriston njeriun më të dashur të shqiptarëve kudo ku ishin.

Sipas kronistëve në këtë kohë, atë Papa Kristoja ishte i lidhur ngushtë me organizatorët kryesorë të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ishte anëtar i komitetit të fshehtë të Manastirit, që u ngrit që më 1903-shin dhe më 1904-n Papa Kriston e zuri dhe e burgosi 2 muaj qeveria turke në Manastir, ku kishte vajtur të bënte takim me shokët.

Shovinistët grekë bënë çmos sa me të mirë dhe me shumë kërcënime, që ta largonin nga rruga e tij e shqiptarizmit, ose ta bënin njeriun e tyre për Elladhen: por ai s′u përkul për asnjë rast. Gjyshja Efrosina tregonte se komandanti i operacioneve të andartëve të trevës Manastir – Follorinë – Kostur, Pavllo Mellai na erdhi tri herë në shtëpi për ta bindur që të ndërrojë rrugën dhe për të pranuar se çfarë mund të bënte me të.

Herën e parë për të mos hapur shkolla shqipe, duke i thënë se edhe Perandoria Turke e ka të ndaluar gjuhën e shkollën shqipe; herën e dytë për predikimet shqip në kishë, duke e lidhur çështjen e fesë ortodokse me Greqinë dhe herën e tretë, i bënë thirrje të merrte gruan e fëmijët dhe të shkonte në Athinë, atje do të punësohej si mësues, fëmijët do i fusnin në shkollë dhe do të sistemoheshin shumë mirë.

Mirëpo gjyshi yt, për asnjë rast nuk u dha miratim dhe iu kundërvu, duke i thënë: “Zoti komandant, më thuaj të lutem se çfarë ju shtyn juve që vini nga Athina deri këtu për këto që thua?”

Ai iu përgjigj: “Vi për patriadhën Elladhën!” “Sa mirë komandant, por ja edhe unë këtë jam duke bërë”, duke ia thënë haptazi se ishte një propagandist i lëvizjes shqiptare dhe se kishte marrë parasysh edhe vdekjen për Atdheun e Kombin Shqiptar; “Ti për Greqinë si grek dhe unë për Shqipërinë si shqiptar që jam!” Unë, tregon gjyshja, në moment u shtanga, sepse u tremba aq shumë sa u çudita se si s′më ra të fikët, sepse komandanti ishte i armatosur me një kobure të madhe në brez dhe u frikësova se mos më vriste burrin.

Por jo, ai mbasi ndenji pak i menduar, m’u drejtua mua dhe më tha: “Priftëreshë erdha t′ju ndihmoj si familje, që burri i juaj të heqë dorë se këto gjëra në këto vahte janë me zarar dhe të sekëlldisura. Sidoqoftë ju falënderoj për mikpritjen dhe darkën e mirë që kishe gatuar dhe të them të drejtën qëndrimi i dhaskal Kristos më habiti, por edhe më impresionoi, mbasi u tregua dhe më foli hapur me sinqeritet, guximtar dhe shumë i zgjuar!” Po atëherë e pyeta: Kush e vrau gjyshin?

Vrasjen e ka organizuar dhe e ka bërë dhespoti i Kosturit, Karavangjelisi, m′u përgjigj; më 10 shkurt të motit 1905, ai erdhi në fshat dhe asistoi në meshën që mbajti gjyshi dhe kur dëgjoi që u mbajt në gjuhën shqipe, ai u nevrikos dhe si i tërbuar iku nga fshati pa u takuar me njeri, duke thënë: “Mos e zëntë gjallë viti i ardhshëm”; dhe madje, para se të largohej, iu dha edhe urdhrin andartëve të Jan Bullakës që të vrisnin brenda ditës në fshatin tonë 25 patriotë shqiptarë, me në krye dhaskal Kriston dhe vëllain e tij Theodhosin.

Vrasje e tmerrshme kjo, e cila u krye mbas dy ditëve më 12 shkurt 1905 me thika e hanxharë nga banda shoviniste greke që dhespoti i kishte sjellë siç u fol nga fshatarët nga Kreta dhe të maskuar në pyllin afër fshatit.

Sipas kronistëve të asaj kohe, vrasja e mësuesit Atë Papa Kristo Negovani, preku përvajshëm gjithë kombin shqiptar dhe sidomos djalërinë kryengritëse të saj dhe gjithë poetët tanë të kohës, si Loni Logori, Asdreni, Çajupi, Siliqi etj. I kushtuan nga një elegji plot shpirt e zemër këtij martiri, që edhe sot kujtohen vargjet e tyre antologjike.

Papakristonë e vranë

Dhe s′ra për të një kambanë

Dhe mallet e Shqipërisë

Dhe shpellat e malësisë

Thërrisnin anembanë

Papakristonë e vranë!

Atdhetarët shqiptarë kudo që ishin u prekën shumë nga këto vrasje që ndodhën në fshatin Negovan dhe vrasja e Papa Kristos u bë kushtrim për lëvizjen tonë patriotike n′atë kohë, kur çetat e para si ajo e Bajo Topullit, Spiro Ballkamenit etj., ishin duke u hedhur në luftë për çlirimin e vendit. Çeta e Bajo Topullit, për të marrë gjakun e këtij heroi fill pas një viti të ngjarjes së Negovanit për nder e përfitim të të gjithë kombit, vrau me një plumb dhespotin grek të Korçës, Fotin.

Mësuesi Atë Papa Kristo botoi 6 vëllime të veçanta, përkthime, adaptime dhe origjinale në prozë e vjershë. Veç këtyre ai botoi te kalendari kombëtar 46 fabula dhe 50 vjersha didaskolike.

Punonjësit shkencorë, në fushën e gjuhës dhe të historisë, e cilësojnë se duke ecur në rrugën e Naimit veprat që ai ka botuar i përgjigjen kryesisht qëllimit të tij si mësues dhe edukator patriot.

Në fabulat e tij synon të edukojë veti të mira te bashkatdhetarët e vet; lufton intrigën, mendjemadhësinë, dembelizmin, gënjeshtrën, pabesinë dhe edukon drejtësinë, ndershmërinë, zellin për punë, vigjilencën etj. Te fabula p.sh. “Pula dhe Dallëndyshja” ai paraqet urrejtje kundër shovinizmit grek:

Gjer më sot, o të uruar

Për ata kemi punuar

Ndë luftë jemi përpjekur

Me barut edhe me hekur

Ne nga zgjedha i shpëtuar

Për vete gjë s′trashëguam

Ata gjuhën na shkretojnë

Shqip nuk duan të dëgjojnë

Ose predikimet për të rinjtë e bashkëfshatarët e vet për dashurinë e vërtetë ndaj mëmëdheut.

O djem o vasha vraponi

Nd′ i bekuar mësim!

Gjuhën e mëmës mësoni

Me dëshirë e mallëngjim!

Sepse: mësimi do t′shpëtojë

Të varfrën Shqipëri

Vjershat e Papa Kristos për të vegjlit kanë karakter didaskolik – edukonjës.

Sa jam zemërgëzuar

Mësimet q′i kam mësuar

Gjithnjë do të përpiqem

Nga shkolla të mos hiqem

Sikurse Naimi, edhe Papa Kristoja futi midis vjershave fabula e fjalë të urta.

“Secili lind jo vetëm për lindëtorët (prindërit), por edhe për mëmëdhenë e për mëmëdhetarët.” Ose “Çdo njeri i pamësuar është dru i papunuar”

Të shumtat janë mbi dashurinë për atdhe, për prindërit, për punën, modestinë, miqësinë etj. Ato janë thurur me sentencën popullore, madje kanë dalë mjaft të qëlluara: si p.sh. luani.

“Dhelprën e pabesë e bëri një qind thërrime, pastaj i vajti gomarit, e hëngri me gjithë qime.”

Ose për ujkun, “Ulkne e qethnin, që të ndronte mentë. Po ay thoshte: Shpejt se m′iknë dhentë.”

Me punën e tij, Atë Papa Kristo Negovani, thoshin rilindësit, krijoi një traditë të shkëlqyer, mbasi luftën e tij në Negovan për arsimin dhe kulturën shqiptare e vazhdoi pak më vonë, po me atë heroizëm, një tjetër dëshmor i shquar i Rilindjes, Petro Nini Luarasi, dhe në fshatin Ballkamen, Spiro Ballkameni me çetat tona la mbresa të thella me trimërinë e tij.

Papa Kristoja iu kushtua punës për futjen e gjuhës shqipe në masë, në një kohë kur mjetet mësimore dhe edukative ishin aq të pakta, sa “edhe një abetare e vetme, siç thoshte ai, shëtiste në njëzet vetë, sa grisej e bëhej lëvere”.

“Është e madhe nevoja, theksonte gjithmonë, të përkthehen e të shtypen vivlla të shkruhet historia kombëtare, të lëçitet gjuha shqipe kudo. Ata që dinë të këndojnë (të lexojnë) shqip, të stërvitin e të mësojnë të paditurit jo vetëm në shkolla, por edhe nëpër shtëpi njeri-tjatrin gjersa të vijë koha që të këndohet liruar gjuha e jonë shqip.

Atëherë, sikundër janë dëgjuar stërgjyshërit tanë, përsëri edhe neve do të dëgjohemi e do të lulëzojmë, do të bashkohemi dhe do të kemi fuqi të madhe”.

Në studimin monografik për analizën e veprës së Atë Papa Kristo Negovani historiani dhe shkrimtari i nderuar Dhimitër Fullani, e cilëson këtë dëshmor dhe martir të gjuhës e shkollës shqipe, si një nga figurat më të bukura të historisë së Rilindjes sonë kombëtare që me shkrimet e tij zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqipe, dhe më tej vazhdon: “Tek e shohim, ndofta i nënvleftësojmë këto shkrime, sepse pa dashur, i gjykojmë duke i matur me nivelin që ka arritur letërsia jonë artistike sot.

Por, po të vlerësohen këto shkrime në konditat historiko–letrare të kohës, do të shihet qartë kontributi qoftë dhe modest, që dha ky autor në traditën tonë letrare, sepse letërsia jonë artistike atëherë, me gjithë përparimin e madh që kish bërë, veçanërisht me De Radën e Naimin, në disa anë ajo ishte ende në hapat e nisjes, ajo gjendej ende në formë embrionale në disa gjini e lloje letrare.

Para së gjithash, në procesin historik të zhvillimit të letërsisë sonë fëminore nuk mund të mos ndalesh mirë te Papa Kristoja.

Shkrimtari i mirënjohur për fëmijë, prof. Bedri Dedja, në përpunimin e novelës të Papa Kristo Negovanit “I vogli Donat Argjendi” dhe i ritreguar për fëmijë, shprehet: Midis patriotëve rilindës të penës ishte edhe martiri i gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovani, i cili luftoi gjatë jetës së tij të shkurtër (32-vjeçare K. N.) për të përhapur gjuhën shqipe dhe për të zgjeruar fondin e leximeve për të vegjlit shqiptarë. Në gjininë e prozës, ai ka një meritë, sepse është i pari që krijoi tregimin e gjatë (novelë) në letërsinë tonë për fëmijë.

Ndërsa i nderuari profesor i Universitetit të Prishtinës, dr. Begzat Balliu, në kumtesën shkencore që mbajti në vjeshtën e vitit 2011 në Universitetin “Fan Noli” në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, shprehet: “Negovani ishte më shumë se kaq, ishte patriot i kthyer në simbol të Atdheut, Kombit dhe gjuhës së tij.

Një shenjë historike që mbante gjallë lëvizjen kombëtare të kohës, një personalitet, vrasja e të cilit preku përvajshëm gjithë kombin shqiptar, e veçanërisht djalërinë kryengritëse shqiptare, e cila në këto kohë të vështira, në kapërcyellin e shekullit XX, i kishte marrë fatet e Atdheut në duart e saja”.

Si propagandist e agjitator i palëkundur dhe si një nga organizatorët e shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Atë Papa Kristo Negovani ka lënë një emër, që do të nderohet brez pas brezi.

Te figura e tij si dëshmor i ndritur pasqyrohen qartë të gjitha përpjekjet dhe lufta vetëmohuese që bënë stërgjyshërit tanë, veçanërisht mësuesit si: Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi e shumë të tjerë që dhanë jetën për triumfin e arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare.

Me këta dëshmorë, midis të cilëve edhe Atë Papa Kristo Negovani, populli ynë ka të drejtë të krenohet për traditat tona luftarake në fushën e arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare, që gjatë një shekulli të pavarësisë, me punë e përpjekjeje të mëdha, sot e kemi masive dhe cilësore, ashtu si e ëndërruan të gjithë rilindësit tanë të mëdhenj.

KRISTO, KRAHAS KLASAVE NË GJUHËN GREKE, HAPI EDHE KLASAT E PARA DHE TË DYTA TË FILLORES NË GJUHËN SHQIPE. KJO I SHQETËSOI SHUMË QEVERITARËT NË KOZANË TË FOLLORINËS DHE I ERDHËN PËR KONTROLL

PAS TRE VJET EMIGRIM DHE NË KONTAKT GJITHMONË ME RILINDËSIT E BUKURESHTIT DHE TË SOFJES, NË VITIN 1897, TREGON GJYSHJA EFROSIA, KRISTOJA KTHEHET NË FSHAT DHE ME GUXIM TË MADH RIFILLON LUFTËN KUNDËR PROPAGANDËS SHOVINISTE GREKE

SIPAS KRONISTËVE TË ASAJ KOHE, VRASJA E MËSUESIT ATË PAPA KRISTO NEGOVANI, PREKU PËRVAJSHËM TË GJITHË KOMBIN SHQIPTAR DHE SIDOMOS DJALËRINË KRYENGRITËSE TË SAJ DHE TË GJITHË POETËT TANË TË KOHËS, SI LONI LOGORI, ASDRENI, ÇAJUPI, SILIQI ETJ.

Comments