Prindërit në Maqedoni e mbështesin ndalimin e qasjes në mediat sociale për fëmijët nën 12 vjet

84

Sipas rezultateve të një ankete të kohëve të fundit të zhvilluar në nivel kombëtar, deri në 76 përqind e qytetarëve mbështesin ndalimin e qasjes në mediat sociale për fëmijët nën 12 vjet dhe rregullimin e përdorimit të tyre nga të miturit. Prej këtyre, 58 përqind e mbështesin plotësisht këtë masë, ndërsa rezultati mesatar i mbështetjes është 4,3 nga 5, duke treguar një konsensus të fortë shoqëror se nevojiten masa urgjente institucionale për mbrojtjen e fëmijëve, transmeton Portalb.mk.

Rezultatet i mbështesin drejtpërdrejt kërkesat e iniciativës qytetare “Për një fëmijëri të sigurt”, peticioni i së cilës për t’i ndaluar dhe rregulluar rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjet deri më tani është mbështetur nga pothuajse 3.000 qytetarë. Iniciativa kërkon aplikimin e zgjidhjeve të qarta ligjore, duke përfshirë verifikimin e detyrueshëm të moshës, kontrollin e përforcuar prindëror, kufizimet në shënjestrimin algoritmik të fëmijëve, mbrojtjen më të mirë të të dhënave personale dhe sanksionet për platformat që nuk do t’i respektojnë rregullat.

Anketa tregon se mbështetja është e lartë në të gjitha grupmoshat – rreth 80 përqind te personat mbi 40 vjet, por edhe një shifër e konsiderueshme prej 69 përqind te të rinjtë e moshës 18 deri në 29 vjet. Mbështetja është njëlloj e fortë në zonat urbane dhe ato rurale.

Ndërkohë, masa të tilla tashmë po zbatohen ose po merren në shqyrtim në disa vende. Në dhjetor të vitit 2025 Australia u bë vendi i parë që prezantoi një ndalesë për përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjet, ndërsadisa vende evropiane po përgatisin zgjidhje të ngjashme ligjore.

Në nivel të Bashkimit Evropian Akti Digjital i Shërbimeve tashmë vendos detyrime për mbrojtjen e të miturve, duke përfshirë këtu ndalesë të reklamave që i targetojnë fëmijët. Në vitin 2025 Komisioni Evropian publikoi edhe udhëzime shtesë për t’i menaxhuar rreziqet si përmbajtja e dëmshme, përdorimi që shkakton varësi dhe dhuna kibernetike, si dhe një model për verifikimin e sigurt të moshës me mbrojtje të privatësisë.

Për më tepër, në vitin 2026 Komisioni hapi procedura që lidhen me sigurinë e fëmijëve në platforma të caktuara digjitale për shkak të dyshimeve për mbrojtje të pamjaftueshme të përdoruesve të mitur.

Nga iniciativa “Për një Fëmijëri të Sigurt” thonë se Maqedonia nuk duhet të mbetet një vëzhguese pasive dhe bëjnë thirrje për një qasje të koordinuar midis institucioneve – Kuvendit, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Transformimit Digjital dhe organeve rregullatore.

Ata kërkojnë miratim urgjent të ndryshimeve ligjore, aplikim të verifikimit të sigurt dhe me privatësi të mbrojtur të moshës, standarde të detyrueshme sigurie për përdoruesit e mitur, mekanizma efikasë për heqjen e përmbajtjes së dëmshme, si dhe një program kombëtar për edukimin digjital dhe shëndetin mendor.

“Kjo nuk është një betejë kundër teknologjisë, por një thirrje për përgjegjshmëri. Fëmijëria nuk duhet t’u lihet algoritmeve të dizajnuara për ta tërhequr vëmendjen me çdo kusht”, thuhet në mesazhin e iniciativës.

Kujtojmë se një studim i kryer në mars dhe prill 2025 në dhjetë shkolla të Shkupit, me mbi 1.288 nxënës të klasave të katërta dhe të teta, tregon se një numër gjithnjë e në rritje i nxënësve të shkollave fillore në Maqedoni lexojnë, por nuk e kuptojnë atë që kanë lexuar. Fëmijët që kalojnë më shumë kohë në telefonat e tyre, nuk lexojnë libra dhe nuk luajnë sporte, arrijnë rezultate dukshëm më të këqija, thuhej në studim.

Rrjetet sociale janë kthyer në tregje ku të dhënat personale të fëmijëve shfrytëzohen për profiling dhe ku predatorët seksualë gjejnë rrugë më të lehta për të kontaktuar të miturit. Qeveritë, si ajo e Australisë dhe Spanjës, argumentojnë se platformat kanë dështuar të vetërregullohen, duke lejuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjeve të dhunshme dhe dezinformimit të rrezikshëm që mund të radikalizojë mendjet e reja. Në këtë kontekst, ndalimi shihet si një mjet për të detyruar gjigantët teknologjikë të marrin përgjegjësi ligjore dhe financiare, duke e zhvendosur barrën e mbrojtjes nga prindërit e pafuqishëm direkt te vetë kompanitë e teknologjisë.

Comments