Prishtina mbulohet nga bërllogu, ja çka thotë qeveria

501
fresco

Prishtina dhe gjashtë komuna të tjera rreth saj po rrezikohen të preken nga ndonjë epidemi.

Gjatë ditës së sotme në Prishtinë, mbeturinat kanë mbuluar të gjithë kryeqytetin. E kjo si pasojë e mosmbledhjes së mbeturinave nga kompania rajonale ‘’Pastrimi’’.

Kjo kompani një ditë më parë kishte dalë me një njoftim për qytetarët ku thuhej se ende nuk ka arritur marrëveshje me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive për zhbllokimin e xhirollogarive bankare.

Kjo gjendje erdhi pasi që kompania rajonale ‘’Pastrimi’’ ka trashëguar borxhin prej rreth 1.4 milion eurosh, e për ta shlyer këtë borxh duhet të paguajë edhe kamatë prej 700 mijë eurosh.

E për ta zgjidhur këtë situatë, sipas informatave që posedon Gazeta Observer, KMDK aktualisht është duke e mbajtur një mbledhje me bordin e saj.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, duke folur për Gazetën Observer ka thënë se u ka rekomanduar kompanive që duke respektuar ligjet, ta zgjidhin këtë çështje.

“Ne e kemi pranuar këtë kërkesë dhe njoftim nga ana e kompanisë ‘Pastrimi’. Zgjidhja e problemit është adresuar te të dyja palët, në mënyrë që të gjendet hapësira e nevojshme, bazuar në ligjet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi. Kompania ‘Pastrimi’, bazuar në vendimin e Gjykatës, ka thënë se ka të drejtë në arsyetimet e saj. Gjithsesi, këto dy palë, besojmë që do të arrijnë të kenë një komunikim të mirëfilltë në mënyrë që të kalohet edhe kjo situatë”, ka thënë Gashi.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti. Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe kompania që menaxhon me deponinë në Mirash që sa më parë të bëjë zhbllokimin e llogarive bankare që të mundësohet grumbullimi i mbeturinave nga ‘Pastrimi’ në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve.

Madje, Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës urgjentisht do të huazojë naftë për kompaninë.

‘’Kompania Pastrimi është kompani regjionale që bën mbledhjen e mbeturinave për disa komuna në regjionin e Prishtinës. Mbeturinat e Pastrimit dërgohen në Deponinë në Mirash e cila menaxhohet nga niveli qendror, pra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Për largimin e mbeturinave në deponi Pastrimi i paguan para deponisë. Para vitit 2012 Pastrimi nuk i ka paguar me rregull dhe ka kriju borxh prej mbi 1 milion euro. Për çudi, tani Deponia (kompani e qeverisë) e ka dërgu Pastrimin (kompani regjionale) në përmbarim dhe ia ka blloku llogaritë bankare me që rast e ka lënë kompaninë edhe pa naftë. Po ashtu ka tërhjekë një shumë të konsiderueshme të mjeteve. Për këtë arsye është rrezikuar mbledhja e mbeturinave në krejt komunat në regjionin e Prishtinës. Kërkojmë nga qeveria dhe kompania e deponisë në Mirash që të bëhet zhbllokimi i llogarive sa më parë në mënyrë që mos të rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Nuk ka kuptim që një kompani publike të rrezikojë shëndetin e qindra mija qytetarëve. Po ashtu nuk ka kuptim që qytetarët në këtë mënyrë të paguajnë për keqmenaxhimin e kompanisë Pastrimi për shumë vite. Shpresojmë se kjo nuk po bëhet për arsye politike. Komuna e Prishtinës në mënyrë emergjente do të huazojë naftë për kompaninë por kjo situatë është e paqëndrueshme’’, ka shkruar në Facebook, Ahmeti.

Në vijim ju sjellim disa pamje nga kryeqyteti.

Comments