Projekti i Qeverisë për shpërndarjen e vauçerëve për pajisje teknologjike për studentët po vazhdon të zbatohet, megjithëse në terren janë vërejtur raste ku studentët i shesin vauçerët që kanë marrë. Disa studentë që kontaktuam por që nuk pranuan të flasin para kamerës së Alsat thanë se arsyeja kryesore e shitjes është vlera e pamjaftueshme e vauçerit ose nevoja e tyre për para në dorë. Ministrja e Arsimit tha se nuk mund të ndikojë në këto praktika individuale, por se realizimi i premtimit është përmbushur.
“Projekti ishte i premtuar. Vauçerët u ishin premtuar studentëve dhe, si zakonisht, atë që e kemi premtuar edhe e realizojmë. Ka studentë të zgjuar që në mënyra të ndryshme përpiqen disi ta lehtësojnë jetën e tyre. Me këtë ne nuk mund të merremi. Ne merremi duke futur vlera të reja në sistemin arsimor, programe të reja, tema të reja për përpunim e kështu me radhë. Mbetet në ndërgjegjen dhe vetëdijen e tyre të vendosin se çfarë do të bëjnë me vauçerët”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Disa studentë thonë se duhet shtuar një pjesë të parave për të blerë pajisje adekuate, gjë që për disa prej tyre është e papërballueshme. Të tjerë theksojnë se vauçeri u mundëson blerjen e pajisjeve më të vogla, por jo të atyre që kërkohen për studime të caktuara.
“Nuk mendoj se është e mjaftueshme, duhet të shtojmë ende para për të blerë diçka”, tha një studente.
“Sigurisht që do të jetë e mundur të blejmë diçka më të vogël, diçka që dikush me ato fonde do të blejë diçka që është e mjaftueshme për të dhe do ta kryejë punën”, u shpreh një student.
Duke nisur nga e hëna, rreth 55 mijë studentë kanë mundësinë të aplikojnë për vauçerë elektronikë përmes portalit kombëtar të e-shërbimeve. Studentët mund të aplikojnë jo më vonë se 20 dhjetori, ndërsa realizimi i vauçerëve, përkatësisht marrja e pajisjeve, mund të kryhet deri më 31 dhjetor. /Alsat.mk

