Prokuroria, 42 hetime për parregullsi zgjedhore (VIDEO)

Një dit pas kërkesës së komisionit anti-korrupsion për nisjen e hetimit kundër Ministrit të brendshëm nga LSDM-ja Oliver Spasovskit dhe komunës së Kumanovës, prokurori publik Marko Zvërlevski njoftoi se ka nisur hetime për 42 raste për parregullsi zgjedhore. 20 kanë qenë në bazë të informacioneve, ndërsa për të tjerat janë ngritur kallëzime penale. Por, Zvërlevski në njoftim nuk tregoi cilët janë personat apo partitë politike ndaj të cilëve kanë nisur hetimet. Analistët thonë se hapat e fundit të anti-korrupsionit edhe njëherë tregojnë se veprimet e këtij janë selektiv dhe në mbrojtje të pushtetit.
“Duhet ta ndërrojnë emrin dhe ta bëjnë “Komisioni për mbrojtje nga anti-korrupsioni”. Ishin të shurdhër ndaj të gjitha skandaleve të mundshme në këto dy vitet e fundit. Nuk reaguan për asgjë dhe tani, në mes të fushatës, dolën në sipërfaqe dhe aktrojnë njëlloj transparence me seanca publike dhe të hapura. Emri i dytë mund të jetë “Komisioni për mbrojtjen e imazhit dhe veprës së politikanëve të dyshuar”, dhe këtu do të përkujtojmë se si fletpronësia e Nikola Gruevskit përnjëherë u zhduk dhe ata aq shpejtë reaguan”, tha Lupço Petkovski, QMAE.
Ndryshe, edhe Komisioni Evropian në raportet e tij e vë në pikëpyetje kredibilitetin e anti-korrupsionit.
“Mandati i tyre është vënë në pikëpyetje dhe rekomandohet të shqyrtohet statusi dhe përbërja e këtij Komisioni, të shihet kush punon atje dhe si zgjidhen njerëzit atje”, tha Petkovski .
Ministri i brendshëm Oliver Spasovski dje hodhi poshtë pretendimet se ka shkelur Kodin Zgjedhor, ndërsa kryetari i Kumanovës Zoran Damjanovski thotë se askush nuk guxon t’i keqpërdorë resurset e institucioneve për qëllime partiake.
“Kjo është kulmi i hipokrizisë nga Komisioni kundër korrupsionit që përfundimisht është i partizuar”, deklaroi Zoran Damjanovski, kryetar i Kumanovës.
Alsat M kërkoi përgjigje nga Komisioni kundër korrupsionit, sa seanca publike kanë pasur deri më tani dhe a e kanë shqyrtuar raportin revizor për Ministrinë e Arsimit ku u konstatuan shpenzime joligjore. Por edhe sot nuk u përgjigjën.