Prokuroria: Grabitësit e Rinasit morën 3.2 milionë dollarë

375

Aeroporti-i-Tiranës

Të tjera detaje janë bërë publike sot në lidhje me grabitjen e pak ditëve më parë në rrugën e Rinasit. Grupi prej 6-7 personave i përfshirë në grabitjen spaktakolare të kryer brenda pak minutash,  dyshohet se ia kanë dalë të marrin mbi 3 milionë dollarë. Sipas prokurorise ka dyshime se grabitësit kanë qenë të maskuar si punonjës policie.

3.2 milionë dollare. Kaq vlerësohet nga prokuroria qe të kenë marrë vetëm për pak minuta grabitje grupi prej 6-7 personash që organizoi dhe ekzekutoi grabitjen e parave të një banke të nivelit të dytë në aksin Qafë-Kashar–Rinas. Në vijim të hetimit të nisur menjëherë pas grabitjes së bujshme, Prokuroria bën të ditur se policia ka qenë e njoftuar për lëvizjen e vlerave monetare nga qendra e Tiranës në drejtim të Rinasit. Sipas organit të akuzës, njëri prej personave përgjegjës të shoqërisë së sigurisë ka deklaruar se, rreth orës 12.36, ka njoftuar Drejtorinë e Policisë për lëvizjen e parave. Çdo gjë ka ecur normalisht derisa makinat e shoqërisë së sigurisë janë futur në rrugën e Rinasit. Prokuroria ka tashmë të qartë dhe skemën e kryerjes së grabitjes. Jo larg një universiteti privat, në mes të makinave të blinduara, është futur një mjet fuoristradë, e cila fillimisht i ka bllokuar rrugën makinës shoqëruese dhe më pas ka dalë pas saj. Në këtë moment, nga një rrugë dytësore, ka dalë një tjetër mjet tip fuoristradë që ka goditur makinën e blinduar, duke e ndaluar atë. Nga kjo makinë kanë dalë disa persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar. Një prej personave nën hetim deklaron se ka parë që autorët mbanin rroba me nënshkrimin “Policia”. Ndërsa personat e tjerë nën hetim deklarojnë se kanë parë që autorët ishin të veshur me rroba të errëta, kryesisht nga ato që veshin forcat speciale, por kanë deklaruar se nuk kishin fiksuar nëse në vjeshjet e tyre kishte shënime. Ndërkohë, në të njëjtën kohë me përplasjen e mjetit të parë, është sulmuar edhe makinë e shoqërimit nga dy autorë të tjerë. Grabitësit kanë përdorur jo vetëm armët, por edhe një çekiç tip varreje e deri një gur fresibël për të thyer kasafortën nga ku kanë marrë 8 thasë.
Para se të zbrisnin nga automjeti, sipas deklarimeve, një prej punonjësve të SHPSF-se ka qëlluar 3-4 herë në drejtim të personit që theu xhamin. Po sipas deklarimeve, personi me vare në dorë është larguar dhe aty është afruar një tjetër prej autorëve, i armatosur, i cili ka futur armën brenda kabinës së mjetit nëpërmjet xhamit të thyer, duke i kërcënuar punonjësit e sigurise të cilët janë detyruar të dalin jashtë. Mjetet që transportonin paratë kanë qenë të pajisura me kamera sigurie të vendosura, një nga ana e jashtme tek dera anësore e makinës së blinduar dhe tjetra brenda makinës pas shoferit. Por personat nën hetim kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni nëse kamerat janë të lidhura me sistemin e sallës operative të shoqërisë për të cilën punonin. Në makinë kanë pasur edhe radio komunikimi dore, me të cilën duhet të komunikonin me sallën operative si edhe me makinën shoqëruese, por rojet nuk ia kanë dalë pasi sulmi i autorëve ka qenë i shpejtë pa u lënë kohë që të komunikonin në radio.

Comments