Prokuroria: Në Koçan nuk u dogj vetëm klubi Puls, por edhe besimi te shteti

100

Me fjalët hyrëse të Prokurorisë në sallën e gjyqit në Idrizovë nisi gjykimi për zjarrin në diskotekën Puls në Koçan, në të cilin të akuzuar janë 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Salla e gjyqit ishte e mbushur përplot ndërsa kishte edhe sigurim të madh policor. Para fillimit të gjykimit, gjyqtarja Daniella Gruevska Ilievska bëri thirrje për respektimin e rregullit dhe disiplinës në sallën e gjyqit. Ajo tha se nuk mund të precizojë nëse gjykimi do të zgjasë pesë muaj apo pesë vjet, por se pjesërisht do të varet edhe nga ruajtja e rendit gjatë seancave. Prokurori Borçe Janev në fjalën hyrëse tha se lëshimet sistemore dhe korrupsioni kanë çuar në zjarrin tragjik dhe theksoi se i pandehuri i parë, Dejan Jovanovski – Deko, “ka shkelur mbi trupa të vdekur” vetëm që kabareja e tij të vazhdonte të punonte në mënyrë të paligjshme.

“Bravo për prokurorët, turp për avokatët, ky ishte mesazhi i familjeve të viktimave, të cilat me lot në sy ndoqën seancën e sotme”, tha Borçe Janev, Prokuror.

Seanca e radhës do të mbahet më 25 nëntor, kur fjala hyrëse do t’i takojë mbrojtjes. Në fillim të seancës, gjykata mori vendim për bashkimin e kësaj aktakuze me aktakuzën kundër pronarit të personit juridik “Rubikon”, Aleksandar Nacev. Të gjithë të akuzuarit ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Ndër të tjerët, sot për herë të parë në sallë u panë pronari i diskotekës, djali i tij, tre ish-kryetarët e komunës së Koçanit, si dhe ish-ministrat e ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçinin. /Alsat.mk

Comments