Prokuroria ngrit kallëzime penale ndaj dy zyrtarëve të NP “Higjiena Komunale” – Shkup për rrezikim të mjedisit

66
fresco

Prokuroria Publike njoftoi se ka ngritur kallëzime penale kundër Sabahadin Rustemit dhe Aki Saitit për rrezikim të mjedisit dhe natyrës sipas nenit 230, paragrafi 1 të Kodit Penal, që parashikon dënim me burg nga 1 deri në 10 vjet, shrkuan Tela, transmeton FaktiDitor.info

Të dy të dyshuarit, njëri drejtor dhe tjetri menaxher i mbeturinave në NP “Higjiena Komunale” – Shkup, akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe me detyrimet e përcaktuara në Programin Operativ për Grumbullimin dhe Transportimin e Mbeturinave Komunale, si dhe në Planin Operativ për Ruajtjen e Pastërtisë Publike në qytet.

Prokuroria thekson se, duke mos mbikëqyrur si duhet mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, si dhe duke menaxhuar në mënyrë të papërshtatshme mbeturinat, dy të dyshuarit kanë mundësuar krijimin e deponive të vogla në hapësira publike dhe pranë kontejnerëve, duke shkaktuar dëme në cilësinë e tokës, ujit dhe ajrit, dhe rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Dyshimet janë konfirmuar nga inspektime të jashtëzakonshme të kryera nga inspektorët vendorë të mjedisit, si dhe nga ekspertiza e Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe mundësinë e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Prokuroria po kërkon paraburgim për të dy të dyshuarit për shkak të rrezikut që mund të ndikojnë tek dëshmitarët dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale.

Comments