Prokuroria Publike po i ndjek të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me komentet fyese që kreu i partisë Maqedonia e Vetme, Janko Baçev i bëri ndaj shqiptarëve në konferencë për media.
Ata thonë se do të veprohet nëse vërtetohet se në rastin konkret ekzistojnë prova për kryerjen veprës penale.
Por kaluan dy javë prej kur bashkëpunëtori i Baçevit, i bëri të njëjtat komente për komunitetin e dytë më të madh në vend, por si duket Prokurorisë po i duhet më shumë kohë për të mbledhur prova.
Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit, dyshon se do të kenë epilog këto raste, pasi që deri më tani, nuk ka asnjë vendim gjyqësor për gjuhën e urrejtjes në vend.
Nuk ekziston aktgjykim në Republikën e Maqedonisë që ka të bëjë me këtë vepër penale edhe pse bëhet fjalë për vepër penale që prodhon dhunë, tha Uranija Pirovska, komuniteti i Helsinkit.
Më së shumti incidente dhe vepra të dhunës ndodhin pikërisht për shkak të përkatësisë etnike. E njëjta korrespondon me të dhënat që i kemi në ueb platformën tonë ku regjistrohet gjuha e urrejtjes, ku në vend të parë është përkatësia etnike, tha Uranija Pirovska, komuniteti i Helsinkit.
Ajo thekson se shumica e kryerësve të veprës penale gjuhë të urrejtjes, janë personat e mitur, kurse u bën apel personave publik që kanë ndikim në opinion, të përmbahen nga deklarata të tilla. Pirovska thotë që pasiviteti i Prokurorisë Publike nuk po ndihmon në zhdukjen e kësaj dukurie. E ai që mendon se kjo sjellje është normale, veprën do ta përsërisë.
“Kjo është në kuadër të sjelljes së zakonshme politike për këtë vend” , tha Janko Baçev.