Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për terrorizëm
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave nga Peja për terrorizëm.
Sipas Prokurorisë të akuzuarit janë N.K. dhe N.B. dhe për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se te pandehurit në këtë rast duke vepruar në bashkëkryerje, kanë menaxhuar me një radio dhe portal në territorin e Kosovës, në periudhën kohore gjate viteve 2014 – 2015, duke vazhduar deri në fund të muajit korrik të vitit 2016.
Sipas aktakuzës këta të dyshuar në këto media emetonin propagandimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të organizatave terroriste, si “Al-Qaida” dhe “ISIS”, më qëllim që të nxitin të rinjtë kosovar për t’iu bashkuar organizatave terroriste të lartcekura, duke mos u kufizuar në postimin e shkrimeve dhe fotografive edhe në rrjetin social “Facebook” me të njëjtin emër, të siguruara nga rrjete sociale nga web faqe të ndryshme të internetit, të cilat këta të pandehur i përdornin si mjete për propagandimin mbi zhvillimet e fundit të luftës së këtyre organizatave, në Siri dhe Irak.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit. /Telegrafi/