Prokuroria speciale: Nga 15 shtatori në hapësira të reja, fillon procedimi i lëndëve të reja
“Ekipi i Prokurores speciale Katica Janeva, nga shtatori pritet të zhvendoset këtu në rrugën “Ruzveltova 34”, në ish hapësirat e Agjencisë për të rinj dhe sport. Deri atëherë pritet që kjo hapësirë prej 750 metra katrorë, të adaptohet për nevojat e Prokurorisë Speciale”.
Paralelisht me zhvendosjen në objektin e ri, pritet që PPS të hapë raste të reja nga materialet e përgjuara që deri tani nuk janë lëshuar në publik. Sipas njohësve të së drejtës penale, këto raste do të hapin shumë çështje, ndërsa deri atëherë pritet të sillet edhe aktakuza e parë.
“Këto do të jenë momente të reja për të gjithë qytetarët dhe për njohësit e kësaj materie. Konsideroj se këto do të jenë lëndë të reja, por me njerëzit, gjegjësisht me të dyshuarit e njëjtë. Ajo që unë di është se do të ketë ndryshime: fillimisht do të vazhdohet mandati i PPS-së, do të pajisen hapësirat e reja dhe ekipi do të përforcohet me kuadër të ri profesional, në pajtim me nevojat e kësaj prokurorie”, u shpreh Aleksandar Nakov, Ish Prokuror Publik.
Nga PPS informojnë se në objektin e ri do të instalohet softuer special i cili do të bëjë të mundur ndjekje më të lehtë të transaksioneve të dyshimta bankare në Maqedoni dhe jashtë vendit.
“Ajo që paraqitet si problem serioz në punën tonë të përditshme është qasja selektive e gjykatës në raport me lëndët tona, mospranimi i propozimeve tona për caktim të paraburgimit apo për masë kujdesi. Ndaj lëndëve tona dhe personave të dyshuar bëhet diskriminim pozitiv. Edhe atëherë kur ekzistojnë arsye të qarta për caktimin e masës së kujdesit, kjo prapë nuk ndodh”, tha Lençe Ristevska, nga PPS.
Për një vit jo të plotë që nga themelimi, kjo prokuroi filloi me hetimin e rasteve “Fortesa”, “Transportuesi”, “Titaniku”, “TNT”, dhe “Tortura”. Deri tani, për asnjërin nga këto raste nuk është shqiptuar asnjë vendim gjyqësor, ndërsa në paraburgim shtëpiak ndodhet vetëm kryetari i komunës së Manastirit – Taleski.