Për të tretën ditë taksistët bllokuan udhëkryqin pranë Bit Pazarit në Shkup….
Për të tretën ditë taksistët bllokuan udhëkryqin pranë Bit Pazarit në Shkup, në shenjë proteste për caktimin e stacionit të ri për taksi pranë pazarit.
Edhe pse stacioni i vjetër ku ata ndaleshin, ishte i jashtëligjshëm dhe stacioni i ri është vetëm pak metra më larg, taksistët thonë se nuk do të kenë punë nëse respektojnë vendqëndrimin e ri të caktuar nga qyteti i Shkupit.
Por, qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se protesta e paarsyeshme e taksistëve po i bllokon gjithë të tjerët në punën e tyre. Sipas tyre, nuk mund të protestosh sepse nuk të pëlqejnë ligjet. Ligji dhe rregulli duhet të vlejë për të gjithë.
“Rregulli duhet mbajtur, unë jetoj në Europë, rendi duhet respektuar. Protesta bëhen por vetëm për gjëra që nuk janë në rregull, por jo kështu kot e kot. Po i bllokojnë rrugët duke u parkuar ku nuk duhet, unë jetoj në Europë, por këto nuk janë gjëra të mira. Parkojnë ku munden, nuk ndalen kur duhet, unë çuditem në këtë shtet. Atje ka ligje, ka dënime, me këmbësorin po bëre gabim të dënojnë. Këtu nuk e ndalin makinën për këmbësorin”,- deklaroi një qytetar.
“Ka tre ditë që na bllokojnë. Për çfarë? Vendi është i caktuar, siç e shikoni, sa pastër është. Për çfarë protestojnë? Disa shokë i kam, por për çfarë, nuk protestojnë të gjithë, shumica janë të kënaqur. E tani, kujt i kujtohet e zë vendin. Më mirë se kështu nuk ka”,- u shpreh një qytetar.

