Protestë e madhe në Strasburg më 16 nëntor kundër procesit në Hagë

43
fresco

Këshilli Koordinues i Shoqatave të Dala nga Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare e Popullit Shqiptar ka njoftuar për një protestë në Strasburg që do të mbahet më 16 nëntor.

“THIRRJE PUBLIKE PËR PROTESTË për të protestuar në Strasburg, më 16 nëntor 2025, kundër procesit të padrejtë që po zhvillohet në Hagë nga Gjykata Speciale ndaj luftëtarëve të lirisë dhe ish drejtuesve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Këshillit.

“Në Prishtinë, më 13 nëntor 2025 Këshilli Koordinues i Shoqatave të dala nga Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën e drejtë ndaj padrejtësive që po bëhen në emër të drejtësisë ndërkombëtare kundër luftëtarëve të lirisë dhe ish udhëheqësve të Republikës së Kosovës”.

Ata e quajtën veprimtarinë e Gjykatës Speciale të karakterit të njëanshëm, që ndëshkon shqiptarët në vend të ndëshkimit të Serbisë për krimet dhe gjenocidin.

“Themelimi dhe veprimtaria e Gjykatës speciale për Kosovën kanë marrë karakter të njëanshëm dhe selektiv”.

“Në vend që të ndëshkojë krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia pushtuese ndaj popullit shqiptar, kjo gjykatë është kthyer në një proces politik ndaj vetë Luftës Çlirimtare të Kosovës – luftë e drejtë, çlirimtare dhe mbrojtëse, e përkrahur nga shteti ynë Amë, nga NATO dhe nga bota demokratike”.

Comments