Dy nga tre aktorët e marrëveshjes për heqjen e murit në veri të Mitrovicës e kanë përgenjeshtruar lajmin e publikuar të njëjtën ditë në “Kohën Ditore” përkitazi me këtë pajtueshmëri.
Por, burime të gazetës kanë treguar se palët janë dakorduar që marrëveshjen ta mbajnë fshehtë, shkruan sot Koha Ditore .
Edhe në raportin e gazetës është theksuar se treshja që ka mbërritur marrëveshjen – kryeministri Isa Mustafa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, dhe kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq – “është pajtuar që të mos flasin për media për takimin dhe as për rezultatin, nga frika e reagimeve që mund të pasonin”.
Edhe të hënën e edhe të martën u janë përcjellë pyetje që të tre aktorëve, dhe vetëm një përgjigje është kthyer nga Zyra e BE-së në Prishtinë. “Diskutimet vazhdojnë dhe shpresoj se do të gjendet një zgjidhje shumë shpejt”, thuhet në këtë përgjigje të shkurtër.