Publikohet programi për punësimin e të rinjve në Maqedoni

182
Publikohet programi për punësimin e të rinjve në Maqedoni

Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë shpalli programin intership për punësimin e të rinjve, i cili do të realizohet me mjetet e financuara nga IPA Projekti i Bashkimit Evropian (BE) “Mbështetje për punësim të të rinjve”, në vlerë prej 18 milion e 915 mijë denarë.

Konkursi i cili fillon që nga dita e sotme, do të jetë i hapur deri në arritjen e numrit të parashikuar të 1 mijë pjesëmarrësve. Qëllimi i programit është që të rinjtë të fitojnë mundësi për mësim praktik, si dhe përvojë pune nga ana e punëdhënësit nga sektori privat.

Drejtor i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski, bëri të ditur se pjesa praktike do të realizohet në një afat tre mujor, për të cilën praktikantët do të paguhen 6.100 denarë në muaj për shpenzimet e udhëtimit, ndërsa pas përfundimit të pjesës praktike do t’u jepet mundësia edhe të punësohen në kompaninë ku kanë kryer pjesën praktike.

“Përvojat e deritanishme që kemi pasur në Agjencinë për Punësim tregojnë se nga viti 2009 deri më tani mbi 3.157 të rinj kanë kaluar përmes këtij programi. Një pjesë e këtyre të rinjve ishin të angazhuar përmes granteve të Agjencisë për Punësim, që ishin donacion i Bashkimit Evropian, prej të cilëve sot janë të punësuar rreth 1.800 të rinj në Maqedoni”, deklaroi Popovski, duke shtuar se mbi 60 për qind të praktikantëve kanë arritur të punësohen.

Ndërkaq, shef i sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së në Shkup, Nicola Bertolini, tha se në këto ditë të vështira kur vendi është duke u ballafaquar me një krizë politike, akti më i rëndësishëm është që të merresh me të rinjtë e papunësuar.

“Diçka është bërë dhe për diçka është duke u punuar për t’u bërë. Në këtë program përqindja e shqiptarëve mund të përmirësohet dhe të rritet. Ne poashtu e dimë se edhe punësimi i të rinjve romë është shumë i vogël, por rezultatet e mira janë se mbi 68 për qind e të punësuarve janë femra, gjë që është pozitive për të rritur ekuilibrin mes gjinive”, u shpreh Bertolini.

Programi intership është projektuar për të rinjtë e papunësuar deri në moshën 29-vjeçare me arsim të mesëm dhe të lartë. Nga Agjencia për Punësim njoftojmë se viteve të kaluara për këtë program kishte interes të madh si nga ana e të rinjve të papunësuar, ashtu edhe nga ana e punëdhënësve nga sektori privat. Në periudhën e kaluar, nga gjithsej numri i të rinjve të papunësuar që ishin pjesëmarrës në këtë program, mbi 60 për qind prej tyre sot janë të punësuar.

Comments