Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kompanive degë “Florakom” dhe “Luna”, të cilët kanë protestuar gjatë periudhës së kaluar për shkak të mospagesës së pagave të shtatorit, njoftuan se vendimi për grevë është pezulluar në përputhje me Ligjin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës, por ata paralajmërojnë protesta të përditshme nga ora 9 deri në 11 paradite para ambienteve të “Parqeve dhe Gjelbërimit”, transmeton Portalb.mk.
Organizata sindikale ka një bord greve, i cili shpalli grevë dhe e pezulloi atë në përputhje me Ligjin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës. Ne kemi dhënë mundësinë për 10 ditë që të fillojë procesi i paqes, por nga ana tjetër, nuk kemi kontakt me kryetaren e Qytetit, drejtorin dhe kryetarin e Bordit të Drejtorëve të ‘Parqeve dhe Gjelbërimit’, duket se ata nuk duan të komunikojnë me ne dhe ta zgjidhin problemin”, tha Goran Risteski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore, anëtare e së cilës është organizata sindikale e “Parqeve dhe Gjelbërimit”.
Risteski shton se në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, dje i kanë dorëzuar një njoftim drejtorit dhe Bordit të Drejtorëve të “Parqeve dhe Gjelbërimit” duke propozuar tre anëtarë dhe tre zëvendës të këshillit të paqes në kuadër të procedurës së pajtimit.
“Ne kemi dhënë afat prej pesë ditësh që këshilli i paqes të formohet me vendim dhe të vendosë për problemet që kanë lindur. Nga e hëna do të fillojmë edhe me mënyra të tjera të protestës ose grevës, për të cilat do të vendosë bordi i grevës. “Do të vazhdojmë të protestojmë çdo ditë derisa të paguhet paga”, shtoi Risteski.
Anëtarët e sindikatës në “Parqe dhe Gjelbërim”, “Florakom” dhe “Luna” njoftuan paraprakisht se nëse nuk i marrin pagat e shtatorit deri më 28 tetor, do të aktivizojnë vendimin për grevë.
Në fillim të muajit, punonjësit në Florakom dhe Luna, të cilat janë degë të Parqeve dhe Gjelbërimit, protestuan për disa ditë për pagat e papaguara të gushtit. Punonjësit e ‘Florakom’ dhe ‘Luna’ gjithashtu kanë protestuar pothuajse gjatë gjithë verës për shkak të pagesës së parregullt të pagave.

