Putin: Europa nuk ka të ardhme (Video)



“Një shoqëri që nuk mbron fëmijët e vetë, nuk ka të ardhme”.
Ishin këto fjalët që përdori Presidenti rus, Vladimir Putin, për të interpretuar gjendjen aktuale të Europës, përmes një rasti të shpalljes të pafajshëm të një azilanti irakian në Austri, i cili ishte i akuzuar për përdhunimin e një 10-vjeçari.
“Në një vend të Europës, një fëmijë përdhunohet nga një emigrant dhe gjykata e liron autorin. Unë s’e kuptoj dot këtë vendim”, u shpreh Putin gjatë një konference për shtyp në Moskë, më herët gjatë kësaj jave.
Përgjithësisht, Putin ka qëndruar larg komentimit të krizës së refugjatëve në Europë. E ky ishte komenti i parë qortues i shefit të Kremlinit për mënyrën sesi Kontinenti i Vjetër po përballet me këtë krizë.
Presidenti rus nuk përmendi shtetin, por qartësisht u duk se i referohej një rasti të ndodhur në Austri, ku një azilant irakian fillimisht u shpall fajtor dhe më pas u lirua nga gjykata për akuzën e përdhunimit të një 10-vjeçari në një pishinë. Rasti ka ndodhur gjatë këtij viti.
Sipas mediave ndërkombëtare, irakiani 20-vjeçar, i identifikuar si Amir A., u dënua fillimisht për veprën në fjalë, por pasi apeloi vendimin u shpall i pafajshëm dhe argumentimi i dhënë në vendimin e pafajësisë është i çuditshëm. Para gjykatësve 20-vjeçari foli për “emergjencë seksuale” pasi nuk kishte kryer marrëdhënie për katër muaj. Njëkohësisht gjykata nuk “provoi se vetë 10-vjeçari kishte thënë jo”.
Ende nuk ka përfunduar çështja gjyqësore ndaj tij dhe vitin e ardhshëm irakiani pritet që të dalë sërish para gjykatës, por deri atëherë ai do të qëndrojë i lirë sipas vendimit në fjalë.