Putin reagon ndaj dërgesave të Tomahawk për Ukrainën: Nëse goditemi, reagojmë fuqishëm
Përgjigja e Rusisë ndaj një sulmi ukrainas duke përdorur raketa Tomahawk të prodhuara në SHBA do të ishte “shumë serioze, nëse jo… dërrmuese”, u tha Presidenti rus Vladimir Putin gazetarëve të enjten. Furnizimi i Kievit me armë të tilla me rreze të gjatë veprimi do të ishte “një përpjekje përshkallëzimi”, paralajmëroi ai.
Kievi ka kërkuar vazhdimisht raketa Tomahawk. Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky e ngriti çështjen gjatë një takimi me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar. Sipas Axios, Zelensky nuk arriti të sigurojë dërgesat e armëve. Zyrtarët amerikanë kishin thënë më parë se opsioni mund të ishte në tryezë, duke shtuar se Trump do të merrte vendimin përfundimtar.
Duke folur gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, presidenti nuk tha nëse SHBA-të mund t’i siguronin Kievit raketat, por deklaroi se operimi i tyre kërkonte trajnim të gjatë dhe intensiv. Raketat kanë një rreze maksimale prej rreth 2,500 km.
“Ky do të ishte një përshkallëzim. Është një përpjekje përshkallëzimi”, tha Putin, duke komentuar mbi një dërgesë të mundshme. “Nëse territori rus goditet… me një armë të tillë, përgjigja do të jetë shumë serioze, nëse jo plotësisht dërrmuese”, shtoi ai.
Moska ka paralajmëruar më parë se, dërgesat e raketave Tomahawk do të zvogëlonin perspektivat e paqes dhe do të godisnin marrëdhëniet SHBA-Rusi.