Qendra për krijimin e politikave: Nxënësit, në fund të listave në testimet PISA

246

Arsimi në vend duhet të ketë reforma rrënjësore që të arrihen rezultate më të mira…

Arsimi në vend duhet të ketë reforma rrënjësore që të arrihen rezultate më të mira, sepse nxënësit me vite të tëra janë në fund të listave sa i përket rezultateve ndërkombëtare PISA. Në Maqedoni edhe më tej janë dominante metodat tradicionale të mësimdhënies ku arsimtari ligjëron ndërsa nxënësi është pranues pasiv i informatave, tregojnë rezultatet e organizatës “Financ think”.

“Faktor me rëndësi për të arriturat e nxënësve janë metodat e mësimdhënies dhe nxënies së njohurive, konkretisht mësimdhënësit që përdorin debate hulumtime kanë nxënës me të arritura më të mëdha dhe nxënësit po ashtu dëshirojnë që njohuritë e fituara të jenë relevante në lidhje me jetën reale. Megjithatë, të dhënat në teren dëshmuan se në shkollat tona është e pranishme metoda tradicionale ku mësimdhënësi ligjëron dhe nxënësi është pranues pasiv, dhe metodat e vlerësimit ende kërkohet memorizim i materialit”,- deklaroi Ana Mickova Raleva nga Qendra për krijimin e politikave.

“Atë që nxënësit e potencojnë është që duan libra të cilat do jenë të kuptueshme, sepse një pjesë e librave nuk janë të qarta, janë të stërngarkuara me fakte. Nga hulumtimi u konstatua se është shumë me rëndësi edhe mënyra se si arsimtarët përpunojnë një temë të caktuar dhe si ua përçojnë atë nxënësve”,- u shpreh Ana Tomovska nga Universiteti Amerikan Kolegj.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Renata Desovska – Trenevska, e vlerësoi të rëndësishëm faktin se sektori civil ka realizuar këto analiza dhe ka qasje profesionale për zgjidhjen e problemeve ku nevojitet ndjekja e trendeve bashkëkohore të mësimdhënies.

“Planifikohen më shumë aktivitete, prej të cilave ndryshime sistemore të procesit arsimor me ndryshimin e ligjeve dhe akteve nënligjore. Në pjesën e parë që kemi intervenuar është rritja e buxhetit për 2018-n. Por, edhe shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe kanë të bëjnë me motivimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe ndjekjen e trendeve bashkëkohore të mësimdhënies”,- u shpreh ministrja e Arsimit, Renata Deskovsa Trenevska.

Planet arsimore duhet të jenë të qarta, konkrete dhe të shfrytëzohen metoda që stimulojnë diskutime dhe pjesëmarrje aktive të nxënësve në procesin arsimor, u tha në këtë debat.

Comments