Qeveria, draft ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve
Qeveria publikoi propozim-ndryshimet e ligjit për dëshmitarë të mbrojtur, që Prokuroria Speciale i kërkoi më shumë se një vit. Me dispozitat e reja edhe prokurorja Janeva do të mundet në mënyrë të pavarur të përfshijë persona në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Specialja edhe deri më tani mundej të kërkojë mbrojtje të dëshmitarit. Por këtë duhej ta miratojë Këshilli për dëshmitarë të mbrojtur ku anëtar janë përfaqësues të Gjykatës Supreme, të Prokurorisë Publike, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve dhe dy përfaqësues të MPB-së. Me vendimin e ri, sipas profesoreshës universitare Besa Arifi, Specialja ka hapësirë më të madhe.
Përderisa Prokuroria Speciale nuk do ta ketë patjetër të pret leje nga Këshilli për dëshmitarë të mbrojtur, pjesa tjetër e procedurës mbetet e njëjtë. Kjo do të thotë se për çdo dëshmitar të mbrojtur më tej do të kujdeset Sektori për dëshmitarë të mbrojtur pranë MPB-së, njësoj siç është rasti me dëshmitarët e mbrojtur nga Prokuroria e rregullt. Ky funksion sigurisht që nuk mund të delegohet në ndonjë vend tjetër. Shkak për këtë është se Sektori ndihmon për ndërrimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur, për shpenzime, për logjistikë, për bashkëpunim ndërkombëtar, por gjithashtu kontrollon nëse ndaj ndonjë dëshmitari të mbrojtur është vënë në kërkim ndonjë bankë apo gjykatë -deklaroi Besa Arifi, profesore.
Propozimet-ndryshimet e ligjit në shqyrtim publik do të jenë të paktën edhe 10 ditë. Në këtë periudhë priten vërejtjet e para të opinionit të përgjithshëm dhe atij profesional. Sipas procedurave nuk duhet të pritet që propozim- teksti të arrijë në debat parlamentar para fillimit të muajit të ardhshëm./Alsat-M