Qeveria jep detaje nga takimi mes Kurtit dhe liderëve opozitarë

211

Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media ka dhënë detaje rreth takimit mes kryeministrit Albin Kurti, dhe liderëve të opozitarë.
Ashtu siç njoftohet përmes komunikatës, në takim bashkë me Kurtin ka marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, situatën në veri të vendit, për të cilën, Kurti ka theksuar se qeveria është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit, ligjshmërisë, paqes dhe sigurisë.

Në komunikatë thuhet edhe se, krerët opozitarë kanë shprehur mbështetjen ndaj qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në Kosovë.

Komunikata e plotë:

Kryeministri Kurti priti në takim liderët e partive opozitare

Prishtinë, 8 nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas ftesës së dërguar liderëve të subjekteve opozitare parlamentare, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shoqëruar nga Bedri Hamza; kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shoqëruar nga Ardian Gjini.

Në këtë takim të ftuar pas zhvillimeve të fundit në vend e sidomos në veri të vendit, u diskutua për situatën aktuale në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

U theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti i falënderoi liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim.

Krerët opozitarë shprehen mbështetjen ndaj Qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në të gjithë Republikën e Kosovës. /Lajmi.net/

Comments