Qeveria me mbledhje solemne për Eliot Engel

221
fresco

Qeveria e Kosovës nën drejtimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur mbledhje solemne, në të cilën kongresisti amerikan Eliot Engel i është adresuar kabinetit qeverisës me fjalë rasti.

Fillimisht kryeministri Haradinaj i ka dëshiruar mirëseardhje dhe ka njohur kabinetin qeveritar me angazhimet e Eliot Engel për Kosovën, njofton Klan Kosova.

“Kongresisti Engel ka qenë mbështetës kryesor i Kosovës që kur ka hyrë në Kongres në vitin 1989. Kongresisti nënshkroi rezolutën, për shprehjen e mbështetjes për Presidentin Rugova në fillim të viteve ’90. Kosovën e vizitoi për herë të parë në vitin 1993″.

“Eliot Engel nënshkroi legjislacionin, që do të lejonte hapjen e zyrës së parë të USAID-it në Prishtinë, zyra e parë e SHBA-së në Kosovës, në vitin 1995. Shumë e quajtën ambasadë jozyrtare të SHBA-së për Kosovën”.

“Në vitin 1996, kongresisti Engel qëndroi në Maqedoni, në kufirin e Kosovës, duke u përpjekur që të hynte si vëzhgues i zgjedhjeve. Ai pati thënë: “Unë u përpoqa të shkoj në Kosovë dhe Millosheviqi nuk më lejoi të hyja, por unë kam lajme për të, do të jetë një Kosovë e lirë dhe e pavarur dhe nuk do të lejojmë të vazhdojë kështu””, ka thënë Haradinaj në këtë mbledhje solemne.

I pari i ekzekutivit foli edhe për angazhimin e kabinetit të tij qeverisës.

“Vetëm për dy muaj qeverisje, me qëllim të zbatimit të reformave në kuadër të agjendës së integrimit evropian dhe të perspektivës euroatlantike të Kosovës, ne kemi marrë 120 vendime, duke përfshirë 30 ligje dhe akte nënligjore”.

“Ajo që e karakterizon këtë qeveri, po ashtu është një punë shumë e përafërt me Ambasadën e Amerikës në Kosovë, USAID-in, me të gjitha autoritetet që funksionojnë në Kosovë, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve të popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu thellimit të një miqësie që është e veçantë, që buron nga kohërat e vështira të popullit tonë”.

Kongresisti Engel ka thënë se “Kosova po ndërton shoqërinë e vet shumetnike dhe besoj që ky vend do ta bëjë atë që asnjë vend tjetër në Ballkan nuk e ka bërë”.

“Do të punojmë bashkërisht për sundimin e ligjit, për demokracinë dhe jam i bindur se kjo do të arrihet. Ndihem mirë për gjithë këtë përparim që e kemi bërë së bashku”.

“E kam thënë gjithmonë, që Kosova do të jetë komb i lirë dhe i pavarur, pavarësisht zërave skeptikë për këtë. Gjithmonë do ta keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Askush nuk është më krenar për bashkëpunimin me SHBA-të sesa kosovarët dhe ata e kuptojnë që kjo është shtylla e demokracisë që edhe ju këtu e keni”, ka thënë ai.

Comments