Qeveria në vazhdimësi kohëve të fundit ka thënë se shtimi i numrit të veteranëve të UÇK-së, po rrezikon marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por, për këtë shtim të numrit të veteranëve, kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, e fajëson Qeverinë, duke thënë se e ka rritur numrin për të paktën 3 mijë veteranë pa meritë. Ndërkaq në Komisioni për verifikimin e statusit të veteranëve, thonë se të gjithë veteranët janë pranuar në bazë të ligjit.

“Ne nuk mund të paguajmë mjete për individë të cilët kanë hyrë në lista por të cilët nuk i kanë meritat, sepse ndryshe do të hyjmë në veprimtari korruptive, sepse do të paguajmë mjete për ata që nuk meritojnë para publike”.

Këtë deklaratë kryeministri Isa Mustafa e tha në mbledhjen e Qeverisë më 30 shtator, në vazhdën e deklarimeve për rritjen e numrit të veteranëve të UÇK-së, që mund t’i kushtojë rëndë Kosovës për shkak të rrezikimit të marrëveshjeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Por, kreu i sapozgjedhur i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati fajëson pikërisht Qeverinë për rritjen e numrit të veteranëve.

“Qeveria po na akuzon neve e shokët tonë dhe neve që është bërë fryerja e listave. Fryerja e listave është bërë nga ata që kanë hyrë nga Fondi i 3 përqindshit, e Ministria e Mbrojtjes, e aty rreth 3 mijë sillet numri”, tha Gucati për Radio Kosovën.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit dhe veteranit të UÇK-së Agim Çeku, i kontaktuar nga Radio Kosova nuk ka dashur të flas, duke thënë se nuk ka çka të thotë për këtë çështje, ngase përgjegjës janë komandantët e zonave që i kanë sjellë listat.

Por, anëtari i këtij komisioni, Sadik Halitjaha thotë se të gjithë veteranët janë pranuar sipas ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Në kuadër të ligjit janë bërë të gjithë. Nuk mundemi ne tani ta shkelim ligjin dhe t’i ndajmë të  vërtetë e të pavërtetë, të drejtë e të padrejtë, sepse drejtësia bëhet me ligj. Disa njerëz që nuk e kanë lexuar ligjin fare, bëjnë propagandë kundër këtij procesi dhe kanë menduar se ky proces duhet të jetë i dështuar dhe për shkaqe politike t’i revanshohen qeverisë apo ku ta di unë kujt”, tha Halitjaha për Radio Kosovën.

Përndryshe, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, nuk e di ende numrin e saktë të veteranëve. Kreu i kësaj organizate Hysni Gucati thotë se Qeveria ende nuk i ka dorëzuar listat e plota. Numri i veteranëve sipas anëtarit të Komisionit për verifikimin e statusit të veteranit, Sadik Halitjaha, është 46 mijë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ditë më parë në Qeveri tha se numri i veteranëve që përfitojnë pensione ka arritur në 28 mijë, ndërsa deri në fund të vitit mund të shkojë deri në 36 mijë veteranë që përfitojnë nga ky pension, përderisa mjetet e parapara për këtë kategori janë shumë më pak sesa numri i veteranëve.