Qorolli: Thaçi e Veseli u koordinuan për Ushtrinë, Mustafës ia lanë karrem demarkacionin

510
Qorolli: Thaçi e Veseli u koordinuan për Ushtrinë, Mustafës ia lanë karrem demarkacionin

Vigan Qorolli, profesori universitar i Marrëdhënieve ndërkombëtare, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se dorëzimi i projektligjit për shndërrimin e FSK-së në Ushtri nga ana e Presidentit Hashim Thaçi te kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ishte një veprim i koordinuar mes ish-kolegëve të PDK-së, ndërsa sipas tij, karremin ia lanë Isa Mustafës me demarkacionin.

Edhe pse e ka quajtur si veprim të pakoordinuar mirë shkaku i pamundësisë së arritjes së konsensusit me Listën Serbe për votimin e FSK-së në Ushtri, Qorolli, ka thënë se Ligjin për Ushtrinë PDK-ja do ta shfrytëzojë në fushatën parazgjedhore, e cila, sipas tij, tashmë ka filluar.

“Kryeparlamentari dhe presidenti u ngutën, por kjo i kapitalizon në fushatën e ardhshme politike, duke thënë se ata e kanë bërë ushtrinë. Ishte një veprim i koordinuar mirë mes Veselit dhe Thaçit. Ndërsa si karrem ia kanë lënë demarkacionin sepse për të nuk flet PDK-ja. PDK-ja po e përdor kartën e ushtrisë për ta neutralizuar opozitën e Kosovës. Simptomat e para të një viti zgjedhor janë këto veprime që po ndodhin këto ditë”, ka thënë Qorolli.

Veprimin e Thaçit për ta çuar në Kuvend projektligjin për FSK-në, Qorolli e ka quajtur të ngutshëm, sepse pozita nuk arriti të gjejë konsensusin me Listën Serbe për ta votuar FSK-në.

“Në pamundësi të arritjes së konsensusit me Listën Serbe, sepse kërkohet një shumicë me dy të tretat, atëherë iniciativa përmes një ligji është e papritur dhe e befasishme sepse ka pasur një përplasje të vogël, duke i kërkuar qeverisë për ta vënë në një situatë të padinjitetshme. NATO ka qenë e heshtur dhe ka lejuar që Kosova të vendos për fatin e FSK-së”, ka thënë veç të tjerash Qorolli.

“Ligji për amandamentimin e FSK-së kërkon shumicën e thjeshtë dhe duhet vetëm 61 vota. Ligji pritet të kalojë, por sa do ta shndërrojë FSK-në në ushtri pritet të shihet në dy premisa. Ato janë: Cila do të jetë forca konvencionale në raport me armatën që do ta ketë dhe premisa e dytë është raporti me Bashkësinë Ndërkombëtare, nëse nuk e merr bekimin e SHBA-ve do të jetë kalkulim naiv i politikës kosovare”, ka thënë ai.

Comments