Qosja sulmon Berishën: Moshanikët e tij enden spitaleve me diagnoza, ky po e tollovit Shqipërinë e Kosovën

1,298

Akademik Rexhep Qosja, që në qershor të këtij viti mbush 86 vjet e ka sulmuar përsëri Sali Berishën kësaj radhe edhe për moshën e tij. Qosja pas disa muajsh, ka shkruar në Facebook se moshanikët e Berishës i cili është 78 vjeçar enden spitaleve me diagnoza mjekësore ndërkaq ish-kryeministri shqiptar po e tollovit Shqipërinë e Kosovën. Si zakonisht, Qosja, ka marrë në mbrojtje Ramën.

“Megjithëse në moshën kur moshanikët e tij (Sali Berishës) enden korridoreve të spitaleve me fashikuj në duar plot diagnoza e dokumente të tjera mjekësore, ai po i bën këto beteja politike dhe që gati një vit po i tollovit shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, unë, pas qindra e qindra faqeve të shkruara kundër politikës së tij, do të shkruaj tani një panegjirik për të: për energjitë e tij, për demagogjitë e tij artistike, për mendimet e tij të qarta, buçitëse, të sistemuara, të tejpërtej dëgjuara. E di se me atë panegjirik nuk do ta shpëtoj prej veprimit kundër vetvetes, por unë do të përpiqem ta bëj të amshueshëm në historinë shqiptare përplot të Papritura e Fatkeqësi”, ka shkruar ai.

Qosja në shkrimin e tij ka thënë se Berisha po bën betejë politike kundër ShBA-së duke ia rikujtuar Berishës që s’po mendon aspak se ShBA-ja me UÇK-në e NATO-n e ndalën gjenocidin serb në Kosovë.

“E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, i cili, në emrin e SHBA-së, e shpalli person të padëshiruar në SHBA dhe po sillet e po vepron si të mos ishte i shpallur i tillë! Dhe, në këtë betejë angazhoi edhe avokat francez, edhe gkykatës francez! Edhe shtet tjetër! E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim! Dhe, me këtë betejë politike kundër ambasadores amerikane, ai në të vërtetë po bën betejë politike kundër SHBA-së duke mos menduar aspak se SHBA me UÇK-në dhe me NATO-n jo vetëm ndalën gjenocidin që bënte Serbia e Millosheviqit duke dëbuar afro 1 milion shqiptarë prej Kosovës, por edhe e çliroi Kosovën prej okupimit shekullor serb duke e bërë çka është sot: shtet i lirë e i pavarur”, e ka vazhduar shkrimin e tij Qosja.

Si zakonisht, Qosja e ka marrë në mbrojtje kryeministrin Edi Rama duke thënë se s’është fajtor i ngritjes së çmimeve në Shqipëri siç po e paraqet Berisha.

“E filloi dhe po e vazhdon betejën politike, po bën çmos, s’po lë gur e dru pa lëvizur, për ta fituar atë betejë politike kundër kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Edi Rama, duke çuar në këmbë kundër tij të rinj e të moshuar, gra e burra, me pretekst ngritjen e çmimeve të shportës e të naftës megjithëse ai, Edi Rama, nuk ishte ngritësi i tyre”, ka shkruar ai.

Comments